Lekaj-qytetarëve: Lëvizni lirshëm dhe kujdes me shpejtësinë, po punohet në pastrimin e rrugëve

Prishtinë | 16 Dhj 2018 | 11:18 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Infrastrukturës, njofton qytetarët se të gjitha rrugët regjionale, nacionale dhe autoudhët në Kosovë janë të kalueshme, por që kërkohet nga ngasësit që të mos udhëtojnë pa pajisje dimërore dhe ta përshtatin shpejtësinë.

Që nga mesnata kur edhe kanë filluar reshjet e para të borës, kompanitë e kontraktuara nga ministria i kanë ndërmarrë masat e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve, në mënyrë që ato të jenë të kalueshme dhe të sigurta për qarkullim rrugor.

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka njoftuar përmes rrjetit social Facebook, se të gjitha kompanitë e kontraktuara janë duke punuar në pastrimin e rrugëve nga bora.

Përveç kësaj, Lekaj bëri apel tek qytetarët që të kenë kujdes me shpejtësinë dhe të mos udhëtojnë pa pajisje dimërore.

“Në orët e para të mëngjesit jam informuar nga të gjithë menaxherët rajonal se kompanitë e kontraktuara janë duke punuar në pastrimin e rrugëve nga bora. 

Si rezultat, qytetarë të dashur, këtë të dielë mund të lëvizni lirshëm.

Kujdes me shpejtësinë dhe mos udhëtoni pa pajisje dimërore.

Vikend të këndshëm!”, ka shkruar më tej Ministri.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme