Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, është shprehur se koalicioni PAN, është duke punuar për t’i siguruar numrat për ta nominuar Haradinajn për të qenë kryeministër i Kosovës.
Lekaj në TV Duklagjini, ka shprehur bindjen se kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, do të arrijë që t’i sigurojë numrat për krijimin e Qeverisë. Thotë se PAN i ka numrat rreth krijimit të Qeverisë.
“…në këtë drejtim është i autorizuar zt. Haradinaj që të bisedojë me subjektet politike rreth asaj që të sigurohen numrat. Haradinaj ka komunikim të drejtpërdrejtë edhe me subjektet politike, në këtë rast me LDK-në por edhe takime individuale me deputet”, ka thënë Lekaj.
Tutje ai është shprehur se Haradinaj nuk do të lejojë që Lista Serbe t’i vendosë kushte në këmbim të votës për ta bërë atë kryeministër.
“Absolutisht, në asnjë mënyrë Haradinaj nuk do të pranojë kushte nga Lista Srpska, që e dëmtojnë apo e zbehin shtetin e Kosovës. Haradinaj është i gatshëm që të bashkëpunojë me të gjitha subjektet politike që i thonë po, koalicionit të PAN-it”, ka thënë Lekaj. Tutje ai është shprehur se AAK do të vazhdojë që të qëndrojë në koalicion me PDK-në.