Lëndohet një polic në veri të Kosovës, sulmohet me gurë vetura e tij

Prishtinë | 18 Sht 2019 | 19:45 | Nga Ekonomia Online

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar sot paradite në veri të Kosovës, pasi vetura civile, në të cilën ishte ai, është sulmuar me gurë.

Vetura ku ishte pjesëtari i policisë së Kosovës është sulmuar me gurë në afërsi të vendkalimit kufitar në Bërnjak, pasi në të ishte edhe një person i ndaluar për kalim ilegal të kufirit dhe po transportohej në stacion policor.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Besim Hoti.

“Arsye e sulmit ndaj zyrtarit policor ka qenë ndalimi i një një personi nga Policia Kufitare, për  hyrje ilegale, i cili më pastaj është arratisur. Tani përveç rastit kalim ilegal i kufirit do të nisim procedurë edhe për sulm ndaj personit zyrtar”, ka thënë Hoti për Telegrafin.

Ai ka bërë të ditur se Policia është duke kontrolluar tri shtëpi në veri dhe është në kërkim të tre personave.

Të ngjashme