Kryetari i Bashkisë Lokale të Karaçeves, në Kamenicë, Selver Lenjani, u është drejtuar me një letër Presidentit, Hashim Thaçi, Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, Kryeministrit, Ramush Haradinaj, Ministrit të Punëve të Brendshme të Policisë së Kosovës, Rashit Qelaj, mbi vendosjen e një tabele ndërkufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Karaçevë.
Ai e ka quajtur këtë, copëtim të territorit të Kosovës, ndërsa ka kërkuar nga akterët e lartëcekur që të parandalojnë këtë veprim, si obligim kushtetues për ruajtjen e territorit të Kosovës.
Sipas tij, banorët e kësaj zone janë duke u neglizhuar.
“Sa për informatë ju bëjmë me dije se ajo tabelë do të vendoset në hyrje te fshatit Karaçevë te kthesa e Novosellës në Komunën e Kamenicës. Pra kjo pike gjendet mbrenda hartës së territorit të Shtetit të Kosovës dhe mbi 26.000 hektar tokë të Kosoves, me vendosjen e kësaj tabele ndërkufitare po i bashkohen Serbisë edhe de jure! Po ju drejtohemi juve sepse ju e keni obligim kushtetues ruajtjen e territorit të shtetit të Kosovës. Ne banorët e kësaj ane kërkojmë nga ju të lartëpërmendurit, që urgjentisht të parandaloni vendosjen e kesaj tabele ndërkufitare mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Lenjani.
Më tej është shprehur në letër se, si banorë të asaj zone janë në hall për shkak të patrullimit të Ushtrisë dhe Policisë Serbe, që sipas tij nuk po ndërmerret asgjë mbi këtë çështje.
“Dua t’ju bëj me dije se ne banoret e kësaj ane jemi në hall të madhë nga patrullimi i Ushtrisë dhe Policisë Serbe në vendlindjen tonë, mbrenda territorit të shtetit të Kosoves, edhe pas 18 vite me radhë që nga paslufta dhe ne jemi tepër të zhgënjyer nga neglizhenca e juaj! Vendlindja ime Karaçeva praktikisht po kontrollohet nga shteti i Serbisë sepse këtë gjë po ia mundëson neglizhenca dhe papërgjegjësia juaj”.
“Mbi 170 pronarë tokash, me vendosjen e kësaj pike ndërkufitare, po i humbin livadhet dhe arat e tyre që po ia merr Serbia para syve tanë. Dhe ju të zgjedhurit e popullit heshtni që 18 vite me rradhë…!!! Tmerr! Ne ende nuk e kemi të qartë se si është e mundur që Policia e Kosovës ta ketë të ndaluar patrullimin në atë zonë të Karaçevës e cila gjendet mbrenda hartes së Kosoves”.
“Banoret e kesaj ane me të drejtë pyesin se, si është e mundur që Serbia do t’na jap tri Komuna te Luginës së Preshevës kur ne jemi dëshmitar se ajo po na i merr para syve tanë edhe Karaçeven me mbi 26.000 hektar që është mbrenda hartës dhe territorit të Kosoves, dhe çuditërisht nga ju si organe shtetërore të Kosovës nuk ka asnjë reagim, edhe pas 18 vitesh?!