Lëshohen 14 leje ndërtimore që nga fillimi i vitit 2021, legalizohen 533 objekte pa leje në Prishtinë

Prishtinë | 20 Shk 2021 | 07:55 | Nga Majlinda Ibrahimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Që nga fillimi i viti 2021, drejtoria e Urbanizmit në komunën e Prishtinës ka lëshuar 14 leje ndërtimore, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa, sa i përket programit të tretë për lehtësimin e procedurave për legalizimin e objekteve pa leje, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit në komunën e Prishtinës, Ardian Olluri, tha se që nga gushti i vitit 2019 janë legalizuar 533 objekte banimi.

“Në vitin 2020 kemi pas një rënie të vogël të numrit të lejeve të lëshuara, pra i kemi pasë 151 leje ndërtimore të lëshuara, në krahasim me 182 të viti paraprak dhe i kemi lëshuar 815 mijë metra në krahasim me 911 mijë nga viti paraprak. Kemi prit një rënie shumë të madhe për shkak të pandemisë, kjo ka qenë një surprizë e mirë për shkak se nuk kemi pasë rënie aq sa kemi prit. Këtë vit nga një janari deri më tani i kemi lëshuar 14 leje ndërtimore. 7 të kategorisë së parë dhe 7 të kategorisë së dytë, duket mjaftë premtuese edhe ky vit dhe shpresojmë që do të kemi kërkesa ende pasi ndërtimi është industri e rëndësishme në ekonominë tonë dhe ndikon në punësim dhe në rritje ekonomike”, u shpreh ai.

Tutje, Olluri thotë se programi i tretë për lehtësimin e procedurave për legalizimin e objekteve pa leje, po rezulton i suksesshëm, pasi këtë herë kanë pasur më shumë kërkesa nga qytetarët për t’iu nënshtruar procedurave ligjore.

“Ligji i ri që është hy në fuqi dhe që është në fuqi tani e ka thjeshtëzuar procedurën shumë, sidomos për kategorinë  e parë. Procedurat janë të thjeshta kërkohet dokumentet e pronësisë, formular i aplikimit, një deklaratë nga pronari që e merr përgjegjësinë e sigurisë së objektit dhe incizimi gjeodezik. Pra numri i dokumenteve që kërkohet është shumë i vogël, dhe procedura është thjeshtëzuar shumë, përveç kësaj është ulë edhe kostos. Do me thënë për kategorinë e parë është vetëm 1 euro metri katror, për kategorinë e dytë është pak ma shtrenjtë, është 2 euro metra katror dhe dokumentet që kërkohen janë pak më shumë se për kategorinë e parë, përveç dokumentet që sapo i përmenda, te kategoria e dytë kërkohen edhe raportet për secilën fazë të inxhiniereve të fushave të caktuara. Kërkohet një raport i inxhinierit të statikës i cili e konstaton që statika i plotëson kushtet e objektit, gjithashtu edhe elektrikes, pra për secilën pjesë kërkohet një raport i inxhinierit i cili konstaton që objekti i përmbush kushtet për m’u legalizua”, tha ai.

“Ky është programi i tretë që zhvillohet në komunën e Prishtinës, pra fillimisht legalizimi i objekteve pa leje kishte filluar në vitin 2010 me një rregullore komunale, pastaj Ligjin për legalizimin e objekteve të programit që fillojë në 2014 deri në vitin 2016, dhe tani ky është programi i tretë, i cili ka fillua në gusht të vitit 2019. Unë e konsideroj të suksesshëm duke e krahasuar me dy programet paraprake, pra përderisa në dy programet paraprake që janë zhvillua për vite tërë është arrit me u legalizua vetëm rreth 200 objekte, ne gjatë këtij programit që nga gushti i vitit 2019 kemi arrit me i legalizua 533 objekte. Sipas një vlerësimit, përafërsisht janë lirua në kapital financiar diku 70 milionë euro, pra vlerën e përafërt të këtyre objekteve e kemi llogaritë që është afërsisht 70 milionë euro, vlerë financiare që mundet me u shfrytëzua me iu qas kapitalit financiar. Andaj te krahasua me programet dhe te marr parasysh që kemi qenë në kohë pandemie, po konsideroj që ka qenë mjaftë e suksesshme deri më tani, por shpresoj që kërkesat të rriten dhe ne ta rrisim intensitetin e punës, numri i objekteve pa leje në komunën e Prishtinës llogaritet të jetë diku 46 mijë ndërtime”, u shpreh Olluri.

Sipas ligjit të ri për ndërtimet pa leje në Kosovë, trajtohen vetëm objekte të filluara para 5 shtatorit të vitit 2018. Ndërsa, objektet e ndërtuara para viti 2004 janë të liruara nga pagesa për taksë.


“Afati i aplikimit është deri në shtator të këtij viti, ky afat mundet me u zgjat me vendimin e Qeverisë edhe për një vit, kjo është rrethanë e mundshme por nuk e dimë nëse ndodhë. Ky është afat shumë i rëndësishëm pasi trajtimi i objektit bëhet edhe pas kalimit të këtij afatit, por nëse nuk aplikohet brenda këtij afatit, hynë në listë të rrënimin”, tha Olluri.

Megjithatë po konsiderohet se nga ky ligj po favorizohen personat që kanë ndërtuar pa leje, pasi kostoja është shumë më e ulët, sesa për personat që u janë nënshtruar procedurave ligjore. Sipas Ollurit ky është një realitet i hidhur dhe i padrejtë, por që siç thotë ai ndryshe kjo dukuri nuk mund të trajtohet.

Të ngjashme