Lëshohet në qarkullim segmenti i dytë i autostradës Prishtinë-Pejë

Malishevë | 28 Tet 2017 | 12:11 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, së bashku me ministren e Mjedisit, Albena Reshitaj, dhe kryetarin e Malishevës, Ragip Begaj, përuruan sot segmentin e dytë të autostradës Prishtinë-Pejë, një segment rreth 3,5 kilometra të gjatë në Kievë.

Ministri Lekaj tha se përurimi i këtij segmenti është i një rëndësie të veçantë për qytetarët, prandaj tha se nuk do të lejojë që procedurat për ndërtimin e rrugëve të stërzgjaten.

“Ne sot jemi, këtu në segmentin e dytë, ta quaj të autostradës Prishtinë–Pejë, që është kryer deri në Kijevë dhe me këtë rast falënderoj ministren Albena Reshitaj, që sot është këtu me ne, e cila ka marrë vendimin më të shpejtë të mundur për shpronësim, çështje kjo që ka pritur gjashtëmbëdhjetë muaj vetëm për një vendim, që nuk është marrë nga ish-Qeveria e Kosovës. Unë publikisht iu them të gjithë qytetarëve se atë që e premtojmë edhe e realizojmë”, tha Lekaj, raporton Ekonomia Online.

‘Me këtë rast falënderoj edhe firmën “Graniti” për punën të cilën e ka bërë dhe tani ne e kemi një standard të ri në punishtet e rrugëve dhe nuk do të lejojmë asnjëherë që projekti të stërgjatet për fajin e ministrisë, apo për mungesë të mbështetjes financiare. Pra, ne do të jemi të saktë edhe në mbështetje financiare, por edhe në realizimin e kontratave. Qytetarët e kësaj ane e gëzofshin këtë rrugë, e cila mundëson një qarkullim dhe një qasje më të lirë në këtë anë”, theksoi kreu i MI-së.

“Qytetarët e gëzofshin këtë rrugë, e cila do të lehtësojë trafikun dhe qasjen e qytetarëve”.

Edhe, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, tha se nuk duhet të lejohet që për shkak të procedurave të ngecin punimet në ndërtimin e rrugëve.

“Jam e lumtur që sot jam pikërisht në këtë vend, ku para shumë pak kohësh ne bëmë edhe shpronësimin e pronave për ndërtimin e kësaj pjese të rrugës. Të gjithë e dimë rëndësinë që ka ndërtimi i rrugëve në vendin tonë, andaj nuk duhet ta lejojmë prolongimin e panevojshëm të procedurave të ndryshme burokratike, siç ka qenë edhe shpronësimi i tokës për këtë rrugë, sepse ne duhet të ecim me hapa të shpejtë. Unë e konsideroj shumë të rëndësishëm ndërtimin e rrugëve në gjithë Republikën e Kosovës, sepse bashkojmë fshatra, rajone, komuna, që është në interest të qytetarëve, prandaj, jemi zotuar edhe si Ministri e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Infrastrukturës t’i përshpejtojmë procedurat, brenda kornizave ligjore, që të most kemi prolongime të procedurave”, tha ministrja Reshitaj.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha se kjo është autostrada e dytë që përshkon komunën që ai drejton, duke e afruar me qendrat e tjera të vendit, duke mundësuar lëvizje më të shpejtë e të mirë të njerëzve dhe të mallrave.

Lekaj shpreh ngushëllime për vdekjen e një punëtori sot në autostradë

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i ka shprehur ngushëllime familjes së personit që humbi jetën gjatë punimeve në autostradën për në Han të Elezit. Ai ka thënë se do të jetë afër familjes Tafallari dhe se për këtë ka kërkuar takim urgjent me drejtorin e punishtes.

“Më lejoni të shpreh ngushëllime për një fatkeqësi që ka ndodhur në punishte në autostradën për Han të Elezit. Mendoj që ne duhet të jemi në këto momente afër familjes dhe unë si ministër kam vënë kontakte me familjen dhe kam kërkuar takim urgjent me drejtorin e punishtes”.

Në një aksident trafiku të ndodhur sot rreth orës o8:30 në fshatin Kovaqec, ka humbur
jetën T. Tafallari, 41-vjeçar, nga Prizreni. Rasti ka ndodhur në punishten e autostradës.

Ky është rasti i dytë i aksidenteve fatale që ndodh në këtë autostradë në pak javë.

Të ngjashme