5 deri në 50 euro për një raport mjekësor, ngritet aktakuzë ndaj mjekut në Vushtrri

Prishtinë | 13 Jan 2026 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

Mjeku A.V në Vushtrri lëshonte raporte mjekësore varësisht prej dëshirës së pacientëve, ani pse ishte në dijeni që të njëjtin nuk vuanin nga asnjë sëmundje. E për këtë tashmë Prokuroria Themelore në Mitrovicë edhe ka ngritur aktakuzë ndaj tij për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj mjekut nga Vushtrria A.V., për shkak të kryerjes së veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdim” nga neni 414 par. 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës. I pandehuri akuzohet se nga data 20.07.2025 deri me datë 28.10.2025 në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vushtrri, me dashje në cilësinë e personit zyrtar si specialist i mjekësisë familjare, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për vete në atë mënyrë që ka lëshuar raporte mjekësore sipas kërkesës së pacientëve duke e ditur se personat në fjalë – pacientët nuk vuajnë nga sëmundje të tilla, duke i pyetur se çfarë diagnoze t’ua shënojnë me qëllim që të njëjtit këto raporte mjekësore t’i përdorin për hapjen e pushimeve mjekësore në kundërshtim me Ligjin Nr.03/L-212 e Punës, po ashtu ka përshkruar barna pacientëve sipas rekomandimeve të agjentëve farmaceutik, ku pas lëshimit të raporteve mjekësore ka pranuar dobi pasurore – para nga pesë (5) deri në pesëdhjetë (50) euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka kërkuar gjykatës që të pandehurin ta shpall fajtor për veprën penale që i vihet në barrë me këtë aktakuzë dhe të njëjtit t’i shqiptojë sanksion penal të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme