Hulumtuesi në Forumin Gjeopolitik të Universitetit të Cambridget dhe ish-diplomati në Ballkan, Timothy Less beson se Kosova në fund do të ndahet.
Ai mendon se mospajtimet Beograd – Prishtinë në fund do të zgjidhen me ndarjen e Kosovës ashtu që vetëm do të formalizohet gjendja në terren: Beogradi s’e kontrollon jugun e Prishtina s’e kontrollon veriun, transmeton Koha.net.
Ai thotë kontesti rreth Kosovës është bllokuar pasi që Prishtina ka hedhur poshtë propozimin e Beogradit për ndarje ose njohje, ndërsa shton se kështu nuk do të jetë gjithmonë, pasi që të dy palët duan ta zgjidhin problemin që po e paralizon zhvillimin e tyre kombëtar.
“Kosova me dëshpërim po dëshiron që me njohje të përfundojë gjendja e vakuumit ndërkombëtar juridik, derisa Beogradi dëshiron t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën për të hyrë në BE e të zgjidhë problemin që e rëndon politikën serbe që nga vitet 1980”, ka thënë në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve tanjug, Timothy Less.
Ndarja, sipas asaj që përcjellin mediet serbe, është i bindur Less, është shpresa e vetme për zgjidhjen në dialogun e Beogradit e të Prishtinës, sepse ky do të ishte kompromisi, mendon ai.
“Edhe nëse Prishtina e refuzon menjëherë ndarjen e nëse heq dorë nga zgjidhja e harmonizuar, ky nuk do të jetë fundi”, thotë ai.
“Prishtina, me dëshirat e veta dëshpëruese për ta legalizuar statusin e Kosovës, në fund do të përpiqet ta arrijë bashkimin me shtetin e njohur të Shqipërisë, statusi juridik i të cilës mund të ‘huazohet’, qoftë kur bëhet fjalë për njohjen e pasaportave qoftë për anëtarësim në Interpol”, ka thënë Less.
Sipas tij, kjo do t’i shkonte përshtati Tiranës dhe do t’i jepte asaj mision të ri kombëtar, sepse, ka thënë Less, shpresat e Shqipërisë për hyrje në BE po shuhen.
Kjo pastaj, thotë ai, do të shkaktonte panik në Serbi e cila do të ndihej e detyruara t’ia bashkojë vetes veriun e Kosovës për t’i shpëtuar serbët që të jetojnë në shtetin një komb shqiptar.
Less është i bindur se gjërat praktikisht do të përfundojnë kështu.
“Lojtarët e jashtëm do të protestojnë dhe do të refuzojnë t’i pranojnë faktet e reja në terren, por ata nuk do të bëjnë asgjë t’i ndalojnë serbët e shqiptarët dhe qetësisht do ta pranojnë lirimin nga barra dhe zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar”, parasheh Less.