Nenet ventil të dy kushtetutave, asaj të Vajmarit dhe Kushtetutës së Kosovës, VLAN-i dhe debarbarizimi i skenës politike kosovare.
Në një konferencë për gjenocidin në të drejtën ndërkombëtare, që ishte mbajtur në SHBA, një vit pas Dayton-it, nga gjashtë mijë punimet e prezantuara në formë abstrakti, vetëm gjashtë nga to ishin për Bosnjë-Hercegovinën. Këtë storie e kishte treguar kanadezi William Shabas, një mik imi, në librin Genocide in International Law, të cilin libër e kisha përkthyer në shqip, një kryevepër kjo botërore për gjenocidin. Këtë tregim ma kishte treguar prof. Shabas-i gjatë kohës sa isha në Chicago si studiues dhe ligjërues i Fulbright-it në Universitetin Northwestern. Kishim diskutuar gjerë e gjatë rreth “pse”-hut së kësaj indiference botërore për gjenocidin boshnjak, i cili akoma ishte i freskët në memorien njerëzore të kohës. Kjo, mbase, mund të duket si ironi, ka një shpjegim krejt racional, siç është edhe vetë gjenocidi rezultat i racionalizimit të marrëdhënieve ndëretnike në një drejtim krejtësisht morbid. Këtë shpjegim, që vlen për Bosnjë-Hercegovinën dhe për krejt popujt e tjerë që kanë pësuar gjenocid nga dora njerëzore, e kishte dhënë në ditët e fundit të Luftës së Ftohtë, dijetari Zygmunt Bauman, në veprën e tij munumentale, Modernity and the Holocaust. Ky autor kishte vërtetuar se sociologjia e modernitetit, duke bërë renditjen e rendeve dhe kategorizimin e kategorive ndërmjet dy luftërave botërore, kishte arritur që t’i shndërrojë hebrenjtë në të përjashtuarit par exellence të rendit dhe të kategorive evropiane të definuara nga sociologjia dhe nga sociologët e kohës. Ky lloj proceduralizmi racional morbid, që rezulton dhe që ka për qëllim përjashtimin e diversitetit, përsëritet çdo herë dhe në çdo shoqëri kur bëhen përpjekje për vënie të rendit shoqëror me çdo kusht, pa pasur asnjë konsideratë për diversitetin ekzistues, cili do qoftë ai.
Kjo kishte ndodhur me sociologjinë evropiane të kohës para ardhjes së Hitlerit në pushtet, që kishte qenë e obsesionuar me renditjen dhe me kategorizimin e racave dhe të çdo gjëje tjetër në mënyrë të sforcuar: ky sforcim kishte lënë pashmangshëm jashtë listës hebrenjtë, kulturën dhe racën e tyre, duke i shtyrë ata poshtë në një rend inferior, si diçka të papërshtatshme, të papajtueshme dhe të paadaptueshme me superioritetin e kulturave të tjera evropiane. Për ironi, këta sociologë ishin më shumë francezë dhe tjerë se gjermanë: doli që Hitleri vetëm ekzekutoi, në emër të gjermanëve, një gjendje shpirtërore dhe mendore morbide që prevalonte në Evropën e kohës. Ajo që më vonë do të bëhet sinonim i konservimit dhe përhapjes së kësaj gjendje shpirtërore, propaganda e fshatrave të Potemkinit apo propaganda gebelsiane, u skicua dhe arriti majat e saj pikërisht në përligjësimin dhe në përjetësimin e kategorive dhe të rendeve sociologjike të ndërtuara nga sociologjia e kohës, kryesisht jogjermane. Kështu kishte bërë sociologjia serbe dhe ajo kroate me myslimanët e Bosnjë-Hercegovinës përgjatë dekadave të ekzistimit të ish-Jugosllavisë: ndërkohë që kroatët e kishin mbajtur këtë kryesisht në nivele personale të qarqeve të fshehta politike dhe intelektuale, serbët këtë kategorizim dhe këtë renditje inferiore të boshnjakëve myslimanë dhe të shqiptarëve e kishin ngritur në nivel institucional në vitin 1986.
Pas gjenocidit, si ndaj hebrenjve ashtu dhe ndaj myslimanëve evropianë, këtij prodhimi të modernitetit, sistemi i drejtësisë, po ashtu produkt i modernitetit, do të jetë një ndër instrumentet kryesore nëpërmjet të cilit do të synohet shpjegimi i Holokaustit dhe i gjenocidit, i diskriminimit të hebrenjve dhe të boshnjakëve myslimanë: juristët, në rastin gjerman, më vonë do t’ia vënë fajin një neni të Kushtetutës së Vajmarit, nenit 48, duke e parë atë nen si një shkak të vërtetë për fuqizimin e Hitlerit dhe ngeljen e tij në pushtet. Ai nen, më vonë, u cilësua si neni “ventil” i kësaj kushtetuese, sepse i jepte kancelarit gjerman të drejtën e ligjvënies pa pëlqimin e Rajhstag-ut në kushtet dhe në rrethanat e luftës dhe të gjendjes së jashtëzakonshme. Esenca e problemit, megjithatë, ishte krejtësisht ndryshe: shkaku i ardhjes së Hitlerit në pushtet dhe i fuqizimit të tij ishte pikërisht sociologjia e modernitetit dhe propaganda që kishte shfrytëzuar Hitleri për ndërtimin e teorisë dhe të praktikës së eliminimit të atyre që nuk i shkonin për shtati rendit dhe kategorive sociologjike të ideologjisë së tij naziste. Kjo sociologji dhe propaganda e ndërtuar mbi të, avokonin eliminimin e hebrenjve nga jeta publike dhe kulturore evropiane, sepse shiheshin si pengesë dhe të papërshtatshëm për rendin e kohës dhe për kategoritë me të cilat operonte ai rend. Hitleri vetëm i dha formë kësaj përpjekje apo, siç thuhet në popull, ia mori të ligat të tjerëve (evropianëve).
Neni 64 i Kushtetutës së Kosovës, “ventili” i Kosovës, i cili sanksionon një praktikë të ndërtuar në Kosovë që nga dita e zgjedhjeve të para të lira, nuk u pa si shkak për fuqizimin dhe për forcimin në pushtet të PDK-së dhe të strukturave të saj represive, por një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i njohur si “rasti VLAN”. Kjo, u mor vesh, nuk ishte dhe nuk mund të jetë e saktë. Kjo ka një shpjegim që lidhet me një histori rastësore personale të autorit të këtyre rreshtave. Një javë para zgjedhjeve nacionale të vitit 2014, në restorantin “Pishat” në Prishtinë, pikërisht të dielën e fundit të fushatës zgjedhore, patëm ndenjur në një darkë miqësore me së paku katër funksionarë të lartë të LDK-së, të cilët më kishin shprehur shqetësimin e tyre për zhvlerësimin potencial administrativ të rezultatit të zgjedhjeve nga ana e PDK-së dhe aleatëve të saj, në rast të një fitoreje margjinale të LDK-së, ashtu siç e prisnin të gjithë në atë kohë, përfshirë këtu këtë autor. U kisha thënë në mënyrë kategorike se një gjë e tillë mund të ndodhë, sepse valles për inaugurimin e institucioneve duhet t’i prijë çdo herë fituesi relativ i zgjedhjeve, përkatësisht se asnjë relevancë kushtetuese nuk ka rirreshtimi që mund të bëhet pas shpalljes së zgjedhjeve nga KQZ-ja: sa i përket statusit të fituesit relativ të zgjedhjeve për qëllimet e inaugurimit të organeve qendrore shtetërore gjendja nuk mund të ndryshojë administrativisht me rirreshtim politik konjuktural. Ua thashë mendimin tim dhe ua sqarova që këtë e kisha bërë publik një vit më parë në një libër timin koautorial, Komentari i Kushtetutës së Kosovës, financuar nga GIZ-i gjerman. Ma kërkuan këtë libër dhe ua dhashë po atë natë. As idenë më të vogël nuk e kishin asnjëri nga ta për konceptin VLAN: përkundrazi, ata kishin frikën se PDK-ja do ta luante një lojë të tillë duke përmbysur administrativisht rezultatin e shpallur zgjedhor jashtë kutive të votimit, duke sabotuar kështu rrugën kushtetuese të inaugurimit të organeve të reja qendrore pas zgjedhjeve nacionale. Njëri prej atyre që ishin në darkë atë natë, kur LDK-ja u fut në maskaradën e njohur si VLAN, nga e cila LDK-ja doli fitimtarja më e madhe pikërisht duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, disa herë e tha në medie: “Enver Hasani na mori në qafë që erdhëm në pushtet me PDK-në” (sic!). Hera e parë që po dëgjoja dikë që mallkon dikë që merr pushtetin pa asnjë meritë! Atmosfera helmuese ngeli prapa, ndërkohë që VLAN-i u bë histori: u formuan grupe sulmuese në Fakultetin Juridik, në një pjesë të medies, ani se ishin mish e kockë të lidhur me PDK-në dhe kishin avokuar pafundësisht pro vendimit të Gjykatës Kushtetuese për VLAN-in, u sajuan emisione speciale kundër meje, të bazuara në tërësi në informata aspak të sakta dhe arbitrare, u thanë për mua gjëra që asnjëherë në jetën time nuk i kisha dëgjuar. Krejt kjo gjendje i ngjasonte përshkrimit që Stefan Cvajg-u e bën te Joseph Fouche lidhur me Asamblenë Kushtetuese të Francës së vitit 1789: aty, thotë Cvajg, ishin ulur së bashku kleri me vrasësin, mësuesi me hajnin, avokati me mashtruesin. Një pjesë bukur e madhe e asaj që u tha në medie kundër meje u bë, ad verbatim, tekst i aktakuzës në rastin e ashtuquajtur “falsifikim i nënshkrimit”, për të cilin pati nderin të deklarohet me kënaqësi edhe kryetari i ASHAK-ut. U mor vesh, aktakuzat u ngritën kur mbarova mandatin tim si kryetar i brezit të parë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ani se “hetimet” për të dy rastet kishin nisur pikërisht më datën 14 prill 2015, kur kisha nënshkruar vendimin e fundit në cilësinë e kryetarit, që i jepte të drejtën Kryeprokurorit të Shtetit për të marrë dekretin te shefi i shtetit të Kosovës, znj. Atifete Jahjaga. Klima e përjashtimit tim nga rendi dhe kategorizimi i ri që po bëhej ishte perfektë: vetëm kërkohej goditësi i fundit. Para se të ndodhte kjo, ndodhën edhe tri gjëra që këtë histeri perverse të krijuar me VLAN-in e çuan deri në pikën e vlimit. E para, dhe mbi të gjitha, nxjerrja e videos së një “vajze” të maskuar me kokën kah një mur nga ana e Ramushit dhe e Ardian Gjinit, një rrugaçëri nën çdo nivel për secilën shtresë dhe kategori sociale e kriminologjike në rajonin e Ballkanit. Denoncimi im në publik dhe në polici, ani se e dija, përfundoi në heshtje, në sirtarët moralë të shoqërisë kosovare që bazohet në rregullën “një gjarpër që nuk më ha mua, le të jetojë njëqind vjet”! E dyta, e pafalshme ishte dhe ngel komprometimi i normave të profesionit nga disa kolegë të rinj të Fakultetit Juridik, të cilët i kisha ngritur pikërisht për shkak të bindjes sime se kanë dije dhe, për pasojë, edhe kurajë për të mbrojtur normat bazike të profesionit në çdo kohë dhe në çdo situatë njerëzore. Këta kolegë, si të mjerë, u ngritën dhe gënjyen e thanë se Kushtetuta e Kosovës, dhe neni i saj i famshëm 64, mund të prodhojnë një shumicë që mund të transformohet pas zgjedhjeve për qëllime inaugurale pa asnjë vështirësi kushtetuese. Asnjëherë nuk ua sqaruan atyre që i këshillojnë edhe sot e kësaj dite se çka do të thotë sistemi proporcional zgjedhor në Kosovë, ku 20 për qind e votës nuk përbën kuotën prej 100 për qind, dhe ku shumëçka që ka të bëjë me esencën e problemit që lind në Kosovë pas zgjedhjeve nacionale, e ka pikërisht aty burimin. Në fakt, e kam thënë, dhe po e them sërish, se neni 64 i Kushtetutës së Kosovës, për dallim nga neni 48 i Kushtetutës së Vajmarit, përbën ventilin më fisnik të demokratizimit dhe të debarbarizimit të skenës politike kosovare dhe i tillë do të mbahet në mend në historinë kushtetuese të Kosovës moderne. Kam pasur nderin dhe privilegjin e veçantë që kam intepretuar me një votë timen modeste, por me ndikim të madh, këtë nen të Kushtetutës së Kosovës në frymën dhe në shpirtin e demokracisë kushtetuese bashkëkohore. E treta dhe e fundit, disa kolegë nga Fakulteti Juridik, nga brezi më i vjetër, duke shfrytëzuar situatën dhe atmosferën e helmuar “vlan”-ore, u sulën kundër meje me mjete të palejuara dhe të pandershme: u bënë me prokurorët e korruptuar deri në palcë dhe ndihmuan në orkestrimin e aktakuzave ndaj meje, ani se i kisha sjellë në Juridik dhe më kishin cilësuar si të shenjtë për një gjë të tillë, ata dhe prindërit e tyre. Një tjetër koleg i Fakultetit Juridik doli hapur dhe tha që prezumimi i pafajësisë është një asgjë dhe se turp për Kosovën kush e përfaqëson në Komision të Venecias. Po ky koleg, në emër të profesionit, më herët tha se imuniteti nuk është asgjë dhe se gjykatat e rregullta mund të vendosin për të. Këtë e tha në emër të dijes për ndarje të pushteteve. Imagjinoni, këta profesorë mësojnë fëmijët tanë, i brumosin me dije që nuk matet me asnjë tjetër në dy anët e Atlantikut. Lakmia për të qenë në Komision të Venecias është krejtësisht legjitime, sepse përbën mesin e botës për dijen e profesionit të juristit modern. Kjo, megjithatë, nuk duhet të verbojë askënd: babëzia e pafrenuar çon në vetëshkatërrim. Thënë me një fjalë, atmosfera për dhe rreth meje, që u krijua pas mbarimit të mandatit, ngjasonte me atmosferën e anatemimit të hebrenjve pas ardhjes së Hitlerit në pushtet, ashtu që edhe sajimi i akuzave dhe i aferave kundër meje mund të bëhej lirshëm: klima e krijuar dhe fjalori që përdorej kundër meje ka qenë të papërsëritshëm që atëherë dhe asnjëherë më i ashpër nuk ka qenë në rajon kundër asnjë funksionari publik.
Natyra dhe ngjyra e krimit kosovar
Një fjalë e urtë popullore shqiptare thotë: “Behanja e çervishit, një lugë t’lyen”. Kjo thënie më së miri përshkruan natyrën e krimit aktual kosovar, i instaluar në mënyrë graduale pas qershorit të vitit 1999 nga zotët e luftës. Krimi dhe viktimat në Kosovë dallojnë dukshëm nga krimet dhe nga viktimat e vendeve të tjera ish-komuniste në transicion. Kriminologët dhe viktimologët që nga afër e kanë vëzhguar dhe që e kanë analizuar dallimin, në vija të trasha, kanë konstatuar se ai konsiston në natyrën shumë të dhunshme dhe pa ndonjë nivel intelektual apo filozofik të krimit kosovar të zotëve të luftës. U desh kohë që kjo gjendje e natyrës së krimit dhe e viktimizimit kosovar të “zbutet”: hyrja në skenën politike të shkollës ruse, e Bacit, të cilin i ndjeri Ibrahim Rugova nuk kishte dashur asnjëherë ta takonte, i dha një ngjyrë më cilësore krimit të zotëve të luftës, rezultatet e të cilit u panë më së miri në aferën me “Hotelin Grand Prishtina”, si dhe me shkëlqimin kriminogjen të ndërtesës së ish-Pallatit të Shtypit, Kulla a Ajfelit e krimit të ri kosovar, e cila na sillet ngado që shkojmë, si një efekt refleksiv i modelit të krimit rus pas luftës. Baci, thënë ndryshe, ia ndryshoi ngjyrën krimit të zotëve të luftës, duke e bërë më të hollë në sipërfaqe, krim më diskret, kurse viktimave të krimit u dhuroi një shije të rrejshme intelektuale, sepse diversifikoi krimin dhe viktimën në aspektin politik, gjuhësor, etnik dhe fetar: të parët, zotët e luftës, i mësoi se paranë e vjedhur nuk duhet më ta ndajnë brutalisht me masën matëse metër apo kilogram, siç kishin bërë deri atëherë, por duhej ta numëronin një nga një sepse, si myslimanë që janë, duhet ta numërojnë deri në centin e fundit. Ndryshe, i mësoi Baci, do të bënin mëkat. Këtë mësim ua kishin dhënë shqiptarëve hoxhallarët e ardhur nga Rusia për të edukuar elementin mysliman në Evropën otomane pas reformave të Tanzimatit. Krahas kësaj “reforme” cilësore në natyrën e krimit, shkolla ruse e Bacit u ndie edhe në viktimën kosovare, në votuesin e Kosovës: tani votuesi nuk duhet të ishte pa dinjitet dhe pa identitet, siç kishte qenë deri atëherë kur vjedhja e votës ndrydhte shfaqjen e çdo identiteti dhe të diversitetit social, etnik, gjuhësor dhe, mbi të gjitha, fetar. Në veçanti, sipas Bacit, ky identitet i fundit duhej zgjuar nga gjumi, duhej vetëdijesuar për votën e fuqinë e vet të votës, gjë që mund të bëhej vetëm nëpërmjet fushatave efektive zgjedhore nëpër xhamitë e Kosovës, të ndërtuara kryesisht nga aleatët serbë e rusë në Kosovën e pasluftës. Kjo fushatë domosdo çonte mesazhe të qarta për salafistët se pushteti në Kosovë dhe kapja e tij nuk do të ishin një gjë e pamundur dhe e vështirë nëse do të provohej. Kjo teknologji e sofistikimit të krimit dhe e viktimizimit të kosovarëve, nuk përbënte ndonjë vështirësi për Bacin, i cili vetëm sa vazhdoi rrugën e nisur me Millosheviqin gjatë luftës së fundit në Kosovë, atëherë kur Kosova dhe qytetarët e saj u duk që po jepnin frymën e fundit të jetës së tyre. Baci, pra, hodhi “lugën me t’lyen në çervishin e krimit kosovar”, duke ia ndryshuar natyrën dhe ngjyrimin e deriatëhershëm. Për këtë, këtu nuk do të flasim fare, se kanë folur të tjerët para meje me një kompetencë të madhe dhe më ilustrative. Pak në vijim do të ndalemi për sejmenët medialë të Bacit dhe për disa të tjerë që notojnë në dobi dhe për qejf të tij.
Borati i Kazakhstanit dhe Borati i Kosovës, URKA-t dhe Shkurte Palvata
Kur njeriu sulmohet pa ndonjë arsye të veçantë, domosdo që mëton të gjejë arsyet reale, jo të dukshme, të sulmeve që i bëhen. Jo rrallë, ato arsye ankorohen në faktorë objektivë, jashtë vullnetit subjektiv të njeriut konkret që sulmon, duke u fshehur në vetë fenotipin e personit. Sikundër që dihet, formimi i personit si fenotip kërkon studimin dhe analizimin e strukturave sociale dhe forcave brenda tyre, të cilat ndikojnë në formësimin përfundimtar të individit. Në kontekstin e Kosovës, kjo nënkupton studimin e fshatit kosovar në vigjilje të çlirimit tonë nga NATO-ja dhe transformimin e këtij fshati në kontaktet intensive me mjediset urbane gjatë viteve të pasluftës. Ky kontakt i fshatit kosovar me qytetin e rraskapitur nga stresi nën sundimin intensiv represiv të regjimit të Millosheviqit, jep shpjegimin e fenotipit të së ashtuquajturës elitë kosovare, e cila u krijua pas luftës dhe që i ngjason në çdo aspekt atyre që Radomir Konstandinoviq, filozof i njohur jugosllav dhe posmodernisti i parë i atij shteti, i ka cilësuar si njerëzit e Pallankës, pallankaxhinjtë. Ata individë, ky filozof, i cilëson si njerëz që nuk janë as nga fshati e as nga qyteti dhe që formohen si një lloj mikrobesh sociale, paraorganizma që mëtojnë të bëjnë jetë sociale të mirëfilltë duke shkatërruar jetën ekzistuese mbi të cilën fuqishëm provojnë të ngulin identitetin e tyre të ri. Ndërkohë që popujt, përgjatë historisë, kanë arritur të bëjnë një gjë të tillë, pra të ngulin identitetin e tyre në një identitet tjetër të rrënuar në tërësi, në planin individual kjo nuk mund të ndodhë: ajo, që në fakt ndodh, paraqet krijim të një identiteti hibrid që nuk arrin të anulojë bar cod-in ekzistues, duke e gdhendur dhunshëm mbi të një fytyrë tjetër, siluetat e të cilës i karikaturon me përçmim në origjinalin e vet, duke e bërë të duket qesharak në sjelljen sociale dhe në habitatin imediat. Për t’i ikur këtij identiteti të dytë, pallankaxhinjtë zakonisht marrin bajrakun e ideatorëve në art, në letërsi, në rrjetizim social, në medie etj. Mbi të gjitha, këta marrin bajrakun e identitetit kolektiv, duke provuar të ikin nga identiteti i tyre kolektiv i ndërtuar dhunshëm përgjatë dekadave të interaksionit me kolektivitetet e tjera me të cilat pallankaxhinjtë janë farkëtuar në bashkëjetesë. Tërë sforcimin që e bëjnë për të treguar se nuk janë ata që duken prima facie. Këtë e bëjnë duke u koncentruar në pamjen dhe në gjestikulacionet e jashtme fizike, duke lënë anash sofistikimin kulturor të asaj që synojnë. Kjo mungesë kulture në sjelljet e tyre dhe pamja e tyre e thatë e jashtme, siç është rasti me Boratin, bën që njeriu të bindet fort kur dëgjon të flasë se mund jetë ndonjë specie e ishullit të Gallapagos, që ka pësuar transformim të shpejtë dhe ka zënë një hapësirë më të madhe se që i takon. Njerëzit, për t’u ikur telasheve, janë të prirë për t’ua lëshuar rrugën këtyre pallankaxhinjve, rrethanë që këta të fundit e shfrytëzojnë me mjeshtëri për të ngulur rrënjë në habitatin e ri kulturor, ndërkohë që vetë janë akulturuar prej kohësh. Për autodidaktët që nuk duan të ikin nga origjina dhe që provojnë të ndërtojnë një identitet real në bazë të aftësive kulturore që kanë, rasti i dokumentarit komik Borat është më instruktivi.
Borati, një prodhim intelektual i proceseve të akulturimit të kosovarëve gjatë sistemit paralel, atij sistemi të edukimit të cilin sot e kësaj dite e glorifikojmë, në aspektin shoqëror i takon forcave sociale që kanë rrënuar civilizime e kultura superiore përgjatë tërë historisë njerëzore. I takon atyre forcave sociale që Karl Marksi i pat cilësuar si idiotë, por që më vonë Lenini, duke qenë dhe vetë i tillë, kishte çmuar tej mase forcën dhe potencialin transformues të kësaj force. Kur soji i tyre kishte ardhur në pushtet në Shqipëri, pas vitit 1945, punën e parë që kishin bërë kishte qenë urinimi në vazot e shtrenjta të praruara në arë të Pallatit mbretëror të Ahmet Zogut, njësoj siç kishin bërë vëllezërit e tyre në Shën-Petersburg pas Revolucionit të Tetorit. Këto krijesa të modernitetit, megjithatë, nuk mund të sqarohen e të shpjegohen pa koncepte të postmodernes. Këtë e kam mësuar qysh në kohën kur kam qenë student, kur më pat rënë në dorë libri më i bukur në atë ish-Jugosllavinë e Titos, që i referohej shoqërisë serbe, por edhe shoqërive të tjera që dominoheshin nga strukturat rigjide të fshatit jugosllav. E kam fjalën për “Filozofija Palanke”, të autorit të sipërpërmendur Radomir Konstandinoviq, libër që më vonë do të shërbejë si parametër matës dhe si pikë referimi i perëndimorëve për të shpjeguar fytyrën e vërtetë të nacionalizmit serb dhe shkakun e vërtetë të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë: fshati, thanë perëndimorët, duke iu referuar koncepteve teorike-praktike post-moderniste të Radomir Kosntandinoviqit, paraqet faktorin që ka shkatërruar Jugosllavinë. Ardhacakët nga Pallanka, R. Konstandinoviq i identifikon fare natyrshëm si njerëz të stilit me ideal të varfërisë së pastër dhe me shpirt të fisit në agoni, ku mbretëron një teatër i normave të mbyllura, por që synojnë t’u imponohen të tjerëve. Ngjashëm me këtë, ndër shqiptarët kishte bërë Eqrem Bej Vlora në Kujtimet, duke cilësuar sistemin që kishin prodhuar pallankaxhinjtë në vitin 1845 si një marrëzi të barazimtarizmës.
I ardhur nga fshatrat e thella të Kosovës Qendrore, Borati, më një pamje estetike të formatit të krijesave të ishullit Galapago, sikur dëshiron të gjejë vend nën perandorinë e diellit të ri kosovar përmes kapjes pas pasurisë së futur në dorë si pre lufte, njësoj siç kishte bërë aristokracia e Mesjetës nën otomanët, të cilën me aq bukuri e përshkruan Eqrem Bej Vlora në veprën e tij të sipërcekur. Ndërkohë që aristokracia mesjetare shqiptare, e krijuar nga dhuna dhe nga preja e luftës, kishte etabluar veten në hierarkinë otomane falë guximit dhe trimërisë së fituar barbarisht nëpër alpet shqiptare, aristokracia së cilës i takon Borati, ka defekte strukturore që janë të papajetueshme me kohën ku jetojmë: në një mjedis shoqëror, ku statusi i fituar nëpërmjet makinacioneve e mashtrimeve të transicionit, vështirë mund të ruhet stabiliteti i statusit të fituar në mënyrë të njëjtë pikërisht për shkak të pretendentëve të shumtë të nivelit të njëjtë si Borati. Kjo, thënë ndryshe, nënkupton se konkurrenca e pjesëtarëve të strukturës së njëjtë sociale, nëpërmjet matjes së pamjes së jashtme flemboajante të kopsave të argjendit me faculetat që i vënë në këmishat me katrorë, nuk jep shijen e një aristokracie të re kosovare. Krejt e kundërta: një konkurrencë e tillë, që defilon nëpër stacionet private televizive të krijuara me prenë e marrë nga shërbimet e kryera në dobi të aristokracisë së re, e cila u krijua në kohën e transicionit rus, nuk prodhon tjetër veçse një harmoni distopike në hapësirën publike të Kosovës. Kjo distopi, ku ambienti kulturor është absent, në fakt, i shkon për shtati dhe nuk e tradhton fare pamjen e jashtme galopagiane të Boratit dhe të miqve të tij. Në këtë aspekt, roli i Boratit është i pazëvendësueshëm: pikërisht si në filmin “Borat”, në të cilin një personazh, nëpërmjet një dokumentari të vetëfinancuar, arrin të çajë rrugën e suksesit dhe të hyjë në analet e filmit komik me role reale, pa asnjë ndërhyrje artistike. Kjo u bë e mundur pikërisht si pasojë e luajtjes së rolit natyror të një njeriu nga Kazakhstani që shkon në Amerikë për të marrë kulturën amerikane dhe mënyrën e saj të jetës. Në këtë përpjekje, Borati duhet të mësojë se çka janë komuniteti LGBT, toleranca ndëretnike dhe liria e shprehjes dhe e mendimit në një shoqëri tolerante si Amerika. Ai, thjesht, duhet të dalë nga identiteti i vet kazakhstanas, nga identiteti origjinal i pallankaxhiut. Askush nuk e merr seriozisht Boratin dhe kjo është esenca e suksesit të dokumentarit të tij. Kur kthehet në vendlindje, në Kazakhstan, Borati sjell me vete shumë të arritura nga teknologjia informative dhe pak kulturë, të cilën ai e përmbledh me dy fjalë: konvertim në kristianizëm, si një ideologji, që në kushtet e Kazakhstanit mund të bëhet vetëm me dhunë e me gjak, sepse baptizimi në vendin e tij nënkupton vrasjen e heretikëve. Në këtë kuptim, ka ngjashmëri të madhe me Kosovën, kur Borati i Kosovës na flet për prozitelizëm, mirëpo si model e ka Evropën, të cilën e sheh tërësisht si papale, siç e sheh çdo kryq me sytë e një katoliku të bërë tapë nga alkooli. Në mënyrë të njëjtë, Borati i Kosovës i sheh edhe myslimanët e Kosovës dhe islamin radikal, që gabimisht mendon se i ushqen ideja e Iranit dhe e Palestinës. Arabia Saudite, meqë është mik i idhullit të Boratit të Kazakhstanit, nuk shihet nga Borati i Kosovës si një problem, ani se të gjitha të këqijat e islamit politik vijnë nga oborri mbretëror i këtij vendi.
Kur bën analizat e profileve psikologjike të personaliteteve kosovare, Borati nuk është më pak konfuz se kur flet për islamin: autorit të këtyre rreshtave i ka bërë analiza të tilla, siç u ka bërë edhe të tjerëve, aq të thukëta e të thella sa që i vetmi identitet që i ka ngel objektit të analizës borateske është ai etnik. Asnjë aspekt tjetër, që autorin e këtyre rreshtave e bën të dallueshëm në shoqërinë kosovare dhe më gjerë nuk ka ngelur pa u boratizuar, pra pa u futur në mekanizmin e purifikimit në stilin boratesk. As unë, e askush, megjithatë, asnjëherë nuk e ka marrë Boratin e Kosovës seriozisht, siç nuk e marrin sozinë e tij model në Kazakhstan, për shkak se të dytë kanë dalë nga lëkura e tyre, në vend se të rrinë aty ku kanë qenë gjeografikisht: të akulturuar, pjesë e strukturës rigjide sociale e fshatit të thellë kazakhstanez/kosovar. Në fakt, Borati i Kosovës mund të ketë fat dhe shumë shpejt fshati i tij mund të bëhet zonë e pasur industriale nëse ata që bombarduan Serbinë financojnë projektet madhore për djegie në thellësi të madhe të thëngjillit kosovar, pikërisht mbi fshatin ku Borati i Kosovës e ka të ingranuar identitetin e vet, thellë dhe pashlyeshëm, identitet për të cilin Radomir Konstandinoviqi thotë se nuk është as fshat e as qytet dhe provon të jetojë sipas normave strikte.
Nuk rrinë larg dy boratëve disa vetë që udhëheqin të ashtuquajturën elitë urbane e arsimit të lartë kosovar, të mbledhur rreth një organizate “studentore” fantome, por me një identitet të dukshëm medial. E kam fjalën për një ORKA, e cila, kur më thanë se po kërkonte përjashtimin tim nga Universiteti, u pata çuditur. Thashë më vete: çfarë kërkon URKA nga unë? Kisha pyetur veten se çfarë lidhje kishte URKA me Universitetin e Prishtinës! Mbi të gjitha, nuk arrija për një moment që të kuptoja se si ka mundësi që URKA të dijë Kushtetutën e Kosovës dhe prezumimin e pafajësisë, kodin e etikës dhe gjëra të tjera që më thanë se i kishin thënë në publik atë ditë që bënë akuzën publike krejtësisht të natyrës invizitoriale dhe me synim të qartë linçimin tim arbitrar dhe në mënyrë primitive (sic!). Në mendje më erdhi, sakaq, filmi i njohur, pesë herë i nominuar për Oscar dhe fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, me Colin Farell, Ed Harris, Andi Garsia dhe të tjerët në role kryesore. E kam fjalën për filmin “The Way Back”, i bazuar në një ngjarje të vërtetë të ikjes nga Gullagu i Siberisë i tetë intelektualëve të nacionaliteteve të ndryshme, të burgosur nga Stalini në vitin 1941. Colin Farel, që luan rolin e një rrugaçi të Moskës nga koha e Stalinit, i quajtur Valka, bën pjesë në gurpin e URKA-ve. Valka i ndihmon tetë të arratisurit për të mbijetuar dimrin siberian me një thikë të vetme. Grupit të intelektualëve Valka iu bashkëngjitet për të shpëtuar lëkurën e vet nga URKA-t e Gullagut, te të cilët ishte zhytur në borxh për shkak të bixhozit që e luante me ta brenda në Gullag. Në kohën para ikjes nga Gullagu, Andi Garcia, që luan rolin e aktorit aristokrat Khobarov, pyetet nga oficeri polak i burgosur se kush janë URKA-t që aty në Gullag gëzonin një status të privilegjuar dhe po silleshin si menaxherët e tij efektivë. Aktori Khobarov e sqaron se intelektualët janë borgjezë dhe, për pasojë, armiq të popullit dhe të shtetit sovjetik, kurse URKA-t janë produkt i borgjezisë dhe, për pasojë, miq të popullit dhe të shtetit sovjetik. Kjo është arsyeja, thotë artisti Khobarov, që shpjegon se përse ata lejohet të jenë shefat e pushtetit paralel në Gullag. Në majë të piramidës së këtij pushteti paralel të URKA-ve rrinte udhëheqësi i quajtur PAKHAN, për shkak të të cilit Valka detyrohet të marrë arratinë së bashku me tetë intelektualë të Gullagut.
Në rrugë e sipër, duke ikur nëpër Siberinë me reliev të vrazhdë dhe me klimë të ashpër, të ikurit takojnë një grua, Saoirse Ronan, që luan rolin e Irenës dhe, pas shumë hezitimeve, e marrin me vete. Ajo gënjen se kishte qenë kooperativiste në Varshavë, ndërkohë që Ed Harris, që luan rolin e Mr. Smith-it, i tregon se Varshava kishte qenë nën okupimin gjerman, jo sovjetik. Kjo, megjithatë, nuk është e tëra: në ditëljindjen e Valka-s, Irena këndon një këngë të cilën di ta shoqërojë vetëm Valka, i cili u thotë të tjerëve se Irena nuk është e kooperativës por rrugaçe e Moskës, pjesë e URKAV-e. Kur Valka pyet nga e dinte këtë fakt, ai tregon se teksti i këngës i takon URKA-ve, rrugaçëve të Moskës. Në fund, Irena tregon të vërtetën, pra që i takonte një familje intelektualësh polakë që kishin ikur në Moskë për t’u trajnuar për revolucionin botëror proletar, por që Stalini ia kishte vrarë prindërit në kohën e spastrimeve të mesit të viteve 30-të të shekullit të kaluar, kurse këtë dhe të vëllanë ia kishin dërguar në jetimore. E rritur rrugëve, me tërë bagazhin intelektual dhe me njohjen e disa gjuhëve të huaja, Irena kishte përfunduar në rrugaçërinë e Moskës sovjetike. Pas këtij reflektimi momental për filmin në fjalë dhe URKA-t, e kuptova se nuk bëhej fjalë për rrugaçët e Moskës. Megjithatë, kur pyeta se kush është PAKHAN-i i tyre, siç e quan Valka udhëheqësin moskovit të URKA-ve, më thanë se është djali i një ish-profesorit tim, i një ndër intelektualëve më të mirë që ka pasur bota shqiptare në të gjitha anët e kufirit. Më erdhi keq, siç më ka ardhur shumë herë keq për të, por jo për arsyet që shumë shpesh këtu ia fusin nën hundë PAKHAN-it të Kosovës: më erdhi keq, dhe shumë herë më vjen keq për të, që nuk i ka ngjarë prindit mashkull, ish-profesorit tim dhe intelektualit ndër më të mirë që ka pasur bota shqiptare, por i ngjan në një aspekt krejtësisht tjetër, jo për vetitë e tij intelektuale por për mjeshtërinë e të ndjerit për intrigën dhe prapaskenën.
Ani se në shpejtësi rikujtova filmin “The Way Back”, në momentin kur më njoftuan për linçin rrugaçëror publik, ai më riktheu në asocime e kujtime të pabesueshme si më sipër! Përveç ato që kishin të bënin me URKA-t dhe jetën paralele në Gullag, m’u kujtua edhe një cilësi e Irenës së filmit: ndërkohë që ajo është, në thelb, një intelektuale e mirë, e detyruar në rrugaçëri nga Stalini, dhe që në film tërë kohën e fsheh këtë intelektualizëm për t’u dukur si rrugaçe me qëllim të mbijetesës me grupin e ikësve nga Gullagu, Irena e PAKHAN-it të URKA-ve kosovarë e bën të kundërtën: luan rolin e intelektuales për ta fshehur identitetin e vërtetë prej një rrugaçeje. Këtu nuk e kam parasysh vetëm paraqitjet publike kur thotë se prezumimi kushtetues i pafajësisë është një hiç dhe lakmon pafundësisht Komisionin e Venecias, apo kur në emër të ndarjes së pushteteve mëson publikun se gjykatat duhet të vendosin për imunitetin e gjyqtarëve kushtetues, por edhe kohën e kaluar kur unë kam nisur karrierën e arsimtarit universitar. Këto mendime të çastit kur ORKA po kërkonte kokën time, më ringjallën kujtimet e kohës së ardhjes sime në Fakultetin Juridik, në vitin tanimë të largët 1987, dhe më rikujtoi mënyrën e ardhjes aty të Irenës dhe të disa të tjerëve një vit më pas.
Në kohën sa ishte konkursi për asistent në Fakultetin Juridik, ishte një konkurrencë e hatashme. Këtë, më vonë, ma ka treguar vetë prof. Faik Brestovci, njeriu të cilit i detyrohem më së shumti në këtë jetë për ngritjen dhe për formimin tim intelektual. Profesorin Faik e kishin pas marrë në pyetje më metoda policore, jo të rralla për kohën, prindërit e njërit prej kundërkandidatëve për asistent në Fakultetin Juridik. Ky prind mbahet në mend si ndër zhdanovët e Kosovës, ngaqë kishte shërbyer si një luftëtar i paepur kundër nacionalizmit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Kjo rrethanë sot provohet fare lehtë nëse shikohet kolumna politike e të përditshmes kosovare “Rilindja”, pas pranverës së artë të vitit 1981. Prindi-zhdanov, kolumnet i bënte në emër të poshtërimit të Shqipërisë si shtet komunist dhe i izoluar, por të njëjtën gjë do ta bënte me ëndje edhe sikur të kishte qenë në pushtet Ahmet Zogu. Ai, këtë, së bashku me shumë të tjerë, e kishte dëshmuar pas rënies së Fadil Hoxhës nga pushteti, liderit të fundit komunist në kohën e të cilit shqiptarët në ish-Jugosllavi ishin prekur nga rrezet më të forta të iluminizmit dhe përndritjes, krahasuar me çdo kohë tjerë në të kaluarën. Sharja e Shqipërisë, që vazhdoi deri në rrënimin e autonomisë së Kosovës, bëhej për të futur rrënjë sa më thellë në strukturat e pushtetit komunist që tanimë po identifikohej me hegjemonizmin serb që po forcohej çdo ditë e më shumë pas demonstratave të vitit 1981. Ky zhdanov, partneri i të cilit kishte qenë anëtar i devotshëm i Komitetit Qendror komunist të Serbisë, pra jo të Kosovës apo të ish-Jugosllavisë, e kishte thirrur në bisedë informative me qëllim kërcënimi prof. Faikun me shpresën se do ta detyronte për ta pranuar fëmijën e tij si asistent, jo mua. U mor vesh, prof. Faiku, ndër njerëzit më të dijshëm dhe më të ndershëm që ka pasur Universiteti i Prishtinës, kategorikisht kishte refuzuar një qasje të tillë URKO-iste, duke më propozuar mua për asistent. Pas shumë përpjekjesh, të natyrës së njëjtë si më rastin e prof. Faikut, prindi-zhdanov pat arritur që ta sjell fëmijën në Fakultetin Juridik: kur u pranua, së bashku me një asistent tjetër të sojit të njëjtë, tërë shqiptarët patën qenë kundër. Vetëm serbët, dhe disa shqiptarë që kishin vendosur deri në fund t’i rrinin besnik marrëzisë së dominuar nga diktatori serb Slobodan Millosheviq, votuan pro pranimit të fëmijës së Zhdanovit të Kosovës, si dhe të një kandidati tjetër me stof tërësisht të njëjtë kulturor dhe moral. Pikërisht ky moment mu kujtua, Irena dhe jeta e saj me URKO-t, që i ngjasonte kundërkandidatit tim për asistent, atë ditë kur URKA-t me PAKHAN-in e tyre ishin ngritur në këmbë për të më anatemuar kundër çdo rregulle njerëzore, etike, ligjore dhe kushtetuese. Për të qenë edhe më bindës, URKA-t kishin marrë me vete një avokat të rrugëve të Prishtinës për të bërë dredhjen e përdredhjen e kodit të etikës, moralin njerëzor, ligjin dhe Kushtetutën, në emër të një pastrimi të Universitetit të Prishtinës nga të padëshiruarit e rendit që URKO-t ka një kohë që po mundohen ta imponojnë përreth nesh. Të njëjtit njerëz, në emër të reformës universitare, cilësisë së dijes, shkencës dhe arsimit puritan, promovuan në emër të reformës, instaluan rektorë e dekanë të dhunshëm që kishin marrë gradat e tyre shkencore dhe akademike mu në mes të Prishtinës, me URKA-t e rrugëve të Prishtinës, në pesë mijë metra katrorë, në trekëndëshin që nis nga Mensa e Studentëve dhe shkon poshtë në drejtim të verilindjes përgjatë rrugës Agim Ramadani dhe Sheshit Nënë Tereza për të përfunduar te Kuvendi i Kosovës dhe te Xhamia e Gurit.
Në grupimin e atyre zilotëve, që dolën në syprinë me sulme kundër meje, bën pjesë edhe Albulena. Numri i tyre ka qenë i paktë, aq sa në gishta mund të numërohen: një nga Presidenca, një nga Qeveria, tre a katër nga Fakulteti Juridik, si shtab mediokrësh, një nga AKSHA, dy nga media portaliste (shprehje e Edi Ramës), dhe deputetja që i ngjan Shkurte Palvatës. Kaq! E, megjithatë, zhurma dhe organizimi i tyre prej mediokrësh, siç do ta cilësonte këtë F. Niçe, kanë qenë kumbuese e vezulluese në të njëjtën kohë.
Sa herë që e kam dëgjuar Albulenën duke më sharë dhe duke më mallkuar, më është kthyer mendja te muajt e parë të revolucionit kulturor shqiptar në kulmin e Luftës së Ftohtë dhe te ikona e atij revolucioni, Shkurte Palvata. Një vajzë e ardhur nga thellësia e fshatrave të Kukësit, në kulmin e zellit të saj ideologjik, rastësisht vdes në një aksion punues në jug të Shqipërisë, për t’i dhënë socializmit shqiptar një shtyrje kah abisi nga i cili nuk doli kurrë deri sa Ronald Regan nuk ia thau rrënjët atje ku kishte lindur, në Moskë. Zelli i Shkurtes u bë simbol i një fryme të re, i një marrëzie që nuk kursente asgjë për t’i shërbyer verbërisht një agjende politike që nuk e dinte e as nuk e kishte as idenë më të vogël për qëllimin përfundimtar të saj. Për Shkurten u bënë poezi e drama, romane e novela, u thanë dhe u strëthanë gjëra që kishin qenë dhe nuk kishin qenë nga njerëz të artit e kulturës, përfshirë Dritëro Agollin e ndjerë. Ani se Shkurta nuk kishte pasur as idenë më të vogël për ideologjinë, në emër të së cilës dha jetën, ajo, megjithatë, u bë simbol i saj dhe i lëvizjes politike të femrës shqiptare që verbërisht i shërben sistemit. Në manifestimin e jashtëm, Albulena dhe sjelljet e saj ndaj meje këtyre viteve i ngjanin shumë sjelljeve të Shkurte Palvatës, që ëndërronte për një revolucion botëror dhe për pengesa mikroborgjeze që i dilnin përpara në rrugëtimin e saj drejt distopisë ideologjike të kohës. Mbi bazën e këtij projektimi palvatian, Albulena gjente, me sa duket, arsyet për të ngushëlluar vetveten dhe diskursin e saj me mungesë të theksuar kalorish intelektuale. Arsyet e vërteta, megjithatë, janë shumë më shumë personale, shumë pak ideologjike dhe krejtësisht për qëllime pragmatike. Nuk ka rëndësi se forma e manifestimit të agresivitetit të saj irracional ndaj meje nuk e dallon aspak nga origjina e saj sociale, palvatiane, e ngurtë dhe e mbyllur, vetëreferenciale deri në absurd, gjë që shihet nga fjalori i varfër me të cilin operon dhe nga fjalitë krejt të thjeshta që i nxjerr nga goja, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për sundim të ligjit, për ekonomi të tregut, për krim të organizuar, për të drejta të grave, për barazi dhe për mosdiskriminim të pakicave e kështu me radhë.
Arsyeja e parë ka të bëjë me seancën e VLAN-it, ku Albulena kishte përfaqësuar subjektin e vet politik: shikimi im i çuditshëm gjatë seancës gabimisht kishte provuar t’i thotë që të mos flasë marrëzira rreth anës profesionale, në emër të së cilës ishte ulur në seancë. Fliste përçart aspektet juridike dhe më krijoi dhembshuri e keqardhje të thellë për profesionin të cilit i takonim të dy. Arsyeja e dytë, me sa duket, lidhet me këshillat që merr ajo vazhdimisht rreth çështjeve juridike dhe kushtetuese nga njerëz që vetë i kam ngritur dhe i kam sjellë në Universitet. I bindur se ata janë të dijshëm në profesion, gabimisht kisha shpresuar se të tillë do të jenë edhe në guximin intelektual, pra që do të thonë të vërtetën për nenin “ventil” të Kushtetutës së Kosovës, pa marrë parasysh nëse janë shumicë. Në fakt, nga historia e sociologjisë së dijes njerëzore qartë del se ata që kanë pasur të drejtë çdo herë kanë qenë pakicë. Këtë moto kam besuar se do ta ndjekin këshilltarët e Albulenës. Kam qenë gabim! Ata jo vetëm që nuk e bënë këtë por edhe në çështjet madhore, siç ishte falsifikimi i provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, këshilluan Albulenën, me sa duket, për të qëndruar anash dhe për të mbajtur kursin kundër meje, ani se bëhet fjalë për një organ shtetëror të rëndësishëm për shtetin e ri, puritianizimin e të cilit Albulena pretendon se e mbron. Ndjekja e këshillave të këtyre kolegëve nuk ka mund të jetë pos fatale dhe tragjikomike për vetë Albulenën: e gjendur mes Scylla-s dhe Charybdis-it, në mes të ruajtjes së pastërtisë ideologjike të zilotit dhe shfryrjes së komplekseve të hakmarrjes ndaj meje, angazhimi i saj publik nuk bënte gjë tjetër pos që shpërfaqte figurën naive të heroinës socialiste, Shkurte Palvatës, por me një dallim thelbësor: derisa Shkurta i ka shërbyer si një model femrës komuniste, një femre që pafundësisht beson në dogmat e sistemit ideologjik, Albulena nuk beson në atë që thotë. Albulena e di fare mirë se nuk mund të ketë dy shtete të kapura në Kosovë, një që më përndjek mua dhe tjetri që e ka dënuar atë, por vetëm një ose asnjë: si për ironi, po ata prokurorë që kanë ndjekur atë dhe llojin e saj, kanë përfaqësuar akuzat e nisura në të njëjtën ditë kundër meje; po ai kryeprokuror që ka dosje të provimit të jurisprudencës thellësisht të falsifikuar dhe që ka orkestruar, nëpërmjet Policisë së Kosovës, dëshmitarët e rrejshëm kundër meje, një ish-gjyqtar kushtetues dhe një rektor universiteti, ka mbledhur dhe ka administruar provat fiktive në rastin që dënon Albulenën dhe të tjerët.
Unë kuptoj që këshilltarët e Albulenës kanë interes dhe dobi imediate për t’u marrë me mua sepse më shohin si një pengesë serioze për “shkëlqimin” e tyre në profesion, siç e kuptoj edhe Hashimin dhe interesin e tij për të pasur në politikë një profil si Albulena. Këtë të fundit, Albulenën, megjithatë, sot e këtë ditë nuk e kuptoj se çfarë ka (sic!)?