Viti i ri, një çast në pafundësinë e kohës

Prishtinë | 31 Dhj 2022 | 11:46 | Nga Afrim Kasolli

Asnjëherë me shumë se sa në netë sikur kjo ndërrimit të motmoteve, nuk merr kuptim ajo parabola e njohur e shkrimtarit të famshëm Franc Kafka, e titullar “Ai”, me anë të së cilës ky gjeni i letrave, në mënyrë metaforike e pat përshkruar presionin që ushtron koha me pafundësinë e saj mbi individët. Pafundësi kjo, që shtrihet si në të kaluarën ashtu edhe në të ardhmen, e që në disa qaste të veçanta te saj ndodhet çdo njëri nga ne.

Madje kjo kundërthënie kishte ndikuar që edhe në sfond të mendimit antik grek të kristalizohej tensioni konceptual ndërmjet pavdekësisë dhe përjetësisë. Se çfarë ndikimi kanë pasur këto ide në historinë e njerëzimit, nuk besoj se ka nevojë të zgjatemi shumë. Asnjë nga prodhimet shpirtërore dhe kulturore që janë krijuar gjatë historisë sikur se; filozofia, religjioni, arti etj etj, nuk mund të paramendohen pa ketë etje të njeriut, si qenie e fundme dhe fragjile, për Absoluten.

Kështu, sipas Kafkës, në metaforën e sipërpërmendur “Ai i ka dy kundërshtarë, i pari e shtyn nga prapa. I dyti i bllokon rrugën përpara. Ai lufton kundër të dyve. Për të qenë më të saktë, i pari e mbështet në luftën kundër të dytit, pasi ai dëshiron ta shtyj përpara, e, po kështu, i dyti e mbështet në luftën me të parin, pasi ai e shlyen prapa. Por kështu ngjet vetëm teorikisht. Në terren ai ndodhet jo vetëm në prani të dy kundërshtareve, por veç atyre ekziston edhe vet ai dhe vallë, kush i di qëllimet e tij? Ëndrra e tij është, që ndonjëherë, në një çast të pakontrolluar – dhe kjo do të kërkojë një natë më të errët se çdo natë tjetër – ai do të dalë prej vijës së parë të fushëbetejës, dhe falë përvojës së tij në luftim, të kalojë në pozicionin e gjyqtarit përmbi dy kundërshtarët e tij, në luftë me njëri-tjetrin”.

Mirëpo, për dallim nga një natë e errët për të cilin flet Kafka, le të jetë kjo një natë më e ndritshme dhe magjike për të gjithë ne!

Zaten ky është edhe kuptimi simbolik i festimit të vitit të ri. Kjo ngjarje shpreh nevojën inherente të njeriut për një fillim të ri. Me këtë pwr Hanah Arendt-in, “çdo fillim, para se të bëhet ngjarje historike, është kapaciteti suprem i njeriut, pra politikisht ai është identik me lirinë e njeriut”. Kurse sipas Shën Augustin –it, “që pikërisht ky fillim të jetë i mundur, u krijua njeriu” (that a begininig be made, man was created). Ngase vetëm njeriu e ka privilegjin dhe mundësinë për hapje të shtigjeve të reja. Dhe vetëm falë kësaj aftësie unike ne mund të dalim nga rrjedha përsëritëse dhe melankolike e kohës

Prandaj, të nderuar miq, viti i ri që po hyjmë, le të jetë mirëfilli një fillim i ri për ju dhe familjet tuaja! Urime dhe gëzuar 2023!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme