Këtë vit, më pak qytetarë në Gërmi për 1 Maj

Prishtinë | 01 Maj 2024 | 11:19 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këtë vit, krahasuar me vitet paraprake u vërejt fluks më i vogël i qytetarëve që frekuentojnë Gërminë për të shënuar 1 Majin – Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Edhe ata që zgjodhën këtë vend, ishin pensionistë që kishin dalë për aktivitete sportive, raporton Ekonomia Online.

E ata që zgjodhën këtë vend, shprehën brengën e tyre për ikjen e të rinjve nga vendi.

Xhavit Robelli, pensionist, tha për Ekonomia Online se rinia kosovare po ik nga vendi për shkak të mosplotësimit të kushteve të punës.

“Atyre (punëtorëve) iu kanë shkelur çdoherë të drejtat, aty ka hapësirë ende me iu ndihmu. Pagat janë shumë të ulëta, pjesa më e madhe e rinisë po na ikin janë të shtypur. Në disa vende janë përmirësuar kushtet, tash është më mirë, por ka hapësirë që me u bë më mirë përndryshe po na ikin rinia po na shkojnë jashtë po i përgatitim e po i shkollojmë po na i merr Evropa”, tha Robelli.

Pensionistja, Shukrije Ymeri – Berisha, tha për Ekonomia Online se Dita e 1 Majit, nuk po festohet si viteve më herët.

Ajo shtoi se sot për 1 Maj shumë pak qytetarë kanë dalë në Gërmi, gjë e tillë që nuk ka ndodhur viteve më përpara.

“Sot po më vjen çudi po shihen njerëzit e zakonshëm që dalin. Kjo ditë ka qenë moti nuk po e festojnë njerëzit”, tha ajo.

Ndërsa, Nehat Spahiu, një tjetër pensionist tha se sa i përket të drejtave të punëtorëve dhe plotësimin e kushteve të punës, janë minimale dhe kanë qenë të tilla.

“Punëtorët po ikin më të madhe po e lëshojnë Kosovën, nuk po gjejnë perspektivë këtu. Kosova ka mbet edhe pa profesione të rëndësishme për arsye se rinia po e gjen vetën Evropë në vende më të zhvilluara”, tha Spahiu.

I njëjti tha se nuk sheh ndonjë angazhim nga Qeveria për t’i ndihmuar punëtorëve të rinjve për zhvillim të mëtutjeshëm.

“Qeveria aktuale por as qeveritë e kaluara nuk kam pa ndonjë angazhim apo interesim. Arsimi ka çaluar dhe po çalon, pastaj rinia nuk po e gjen vetën në profesione se rrogat e ulëta me këto nuk po mund ta kalojnë muajin, siç kemi thënë ne përpara me e zënë fundin r muajit për të ardhura”, tha ai.

Një problem tjetër që po figuron në vend sipas Spahiut është edhe mungesa e punëtorëve në ndërtimtari.

Ndryshe, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve gjatë ditës në kryeqytet janë mbajtur dy protesta, dhe një aksion simbolik nga Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës.

Të ngjashme