Stabilizatorët e korrupsionit si normalitet

Prishtinë | 03 Jan 2021 | 08:04 | Nga Xhamal Ahmeti

Gazetari dhe kritiku austriak Moses Saphir [1855] besonte se shumica e gazetarëve dhe kritikëve të jenë si Kakadutë: kur atyre u jep të hanë tërheqin kthetrat e kur u jep të pinë mbyllin njerin sy [nga kënaqësia]. Kjo fjali është e shekullit 19. Pasi kjo formë e ushqimit reciprok politikë-media lulëzon gjithandej edhe dy shekuj më vonë, lirisht mund ta shpallim thënien si universale dhe transtemporale. Papagajmbajtësi është i detyruar në këtë ritual korruptimi jo vetëm për shkak të tradhtisë që mund t’ia bëjë zogu i tij, por edhe për shkak të akustikës subversive e veshëgërvishtëse që shkakton një Kakadu i urritur kur në horizont nuk e sheh ndonjë insekt, farë apo copë bananeje. Gjersa njeriu i korruptuar nuk është i detyruar ta mbajë një Kakadu dhe mund ta dëbojë ose po qe kriminel ta helmojë atë, të korruptuarit shoqërive demokratike nuk mund ta bëjnë të njejtën [situata ndryshon tek Putini dhe dostat e tij]: t’i përzënë apo përheshtin gazetarët dhe kritikët. E kanë vetëm një mundësi: t’i ushqejnë* ata dhe t’i improvizojnë si miq ose si zagarë që u asistojnë në gjah! Tjetër mundësi s’kanë.

Këta, në këtë status ekzistence ç’bëjnë? Bëjnë atë që shkruan Nietzsche tek «La gaya scienza» [1882]: «Sapo shfaqet korrupsioni pushtetin e merr një larmi bestytnish dhe i gjithë besimi i një populli është i paaftë përballë tyre (…)». Po ia hoqëm kodet religjioze [Nietzsche ishte bir prifti] konstatimit dhe përkthejmë atë brenda temës sonë, fjalia duket kështu: Për të maskuar sa më efektshëm veprimtarinë e tyre faktike të korruptuarit kanë nevojë për rrëfime «postfaktike», të llojit që spostojnë vëmendjen e masave nga njëri tek tjetri shpat. Tri shembuj ilustrativ: 1. Ndërmarrjet shqiptare cofin nga mungesa e asistencës së shtetit në kohë pandemie dhe ekonomia e vendit gjendet para kolapsit, mediat prodhojnë yjet e bëmirësisë për botën tjetër 2. Institucionet e arsimit janë për toke, mediat ulurinë që tu jepen viza analfabetëve funksionalë që ta përdhosin Europën dhe 3. Vrasjet makabre ndodhin në mënyrë serike, mediat garojnë se cila prej tyre do ta botojë postimin e ndonjë mediokri kërcënues të estradës, shou-portaleve parapolitike apo cila prej tyre do t’i vitrinizojë cicat paraplasëse të ndonjë mediokreje që veten redukton në dy ballona prej silikoni.

Kjo industri e irritimit dhe mashtrimit të mentaliteteve ndodh aq «normale» dhe si në vaj saqë shumëkush mund të mendoj se është një strategji e «kapitalizmit, i cili nëpërmjet ilumnizmit të rrejshëm skllavëron masat» [huazuam këtu gjuhën iluminopate të Shkollës së Frankfurtit]. Nuk është ashtu. Dhe kjo është e frikëshmja. Nuk është strategji [ngase kërkon projekte që mediat shqiptare s’dinë t’i sajojnë], por ndodh me automatizëm. Është bërë habitusi normal i çdo medie dhe institucioni të vendit: asistimi i korrupsionit [(i)material] si mjeti më adekuat i mbijetimit.

Si njëri që një pjesë modeste të jetës e ka kaluar edhe redaksive e gazetave shqiptare megjithatë mund ta paralajmëroj një dritë në fund të tunelit: plotë nga mediabërësit janë të vetëdijshëm për statusin që kanë dhe veprimtarinë që bëjnë. Prandaj edhe ndoshta duken kaq arrogantë kur moralizojnë agorat. [2021/3]


*[lloj papagalli me frizurën tufë dhe kthetërmajtë]
** Kur flasin për korrupsionin nuk e reduktojë atë në pare, valutë por e mendoj gjithmonë më gjërë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme