Organizata “Let’s Do it Kosova”, sot përmes një ceremonie ka bërë ndarjen e disa çmimeve për gazetarët të cilët me storiet e tyre aplikuan në konkursin nga “Let’s Do It Kosova” në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”.
Drejtori ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj tha se kjo fushatë nuk do të kishte qenë kurrë e realizueshme pa ndihmën e medieve dhe angazhimin e gazetarëve.
“Për fushatën nuk e di a ja vlen me fol a jo sepse janë këtu gazetarët të cilët e kanë përcjellë punën tonë. Fushata ta pastrojmë Kosovën kurrë nuk kishte me qenë kaq e madhe dhe nuk kishte me pasë rezultate, nëse nuk kishte me pas kaq mbulueshmëri nga ana e medieve. Jemi të nderuar që kemi një bashkëpunim me ju. Faleminderit edhe AGK-së për bashkëpunimin”, tha Hasanaj.
“Ne jemi një organizatë të cilët synojmë që problemi ynë të adresohet, andaj falënderim i madh shkon për të gjithë përkrahësit dhe bashkëpunëtorët. Është një nder për ne që me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, të bëjmë diçka për këta gazetarë që kanë përcjellë prej afër punën tonë. Shpresoj që ky eveniment të jetë një shtytje për gazetarët që të vazhdojnë të raportojnë për mjedisin”, shtoi Hasanaj.
Ndërsa, Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli-Pustina tha se gazetarët e kanë mundësinë ta ndryshojnë gjithë agjendën e krerëve të lartë me punën e tyre.
“Ambienti është vetë fryma jonë. Ajo që mua më intereson është pikërisht çështja e lidershipit aktual që nuk kanë bërë po thuajse asgjë rreth çështjes së mjedisit. Janë gazetarët ata të cilët kanë fuqinë ta ndryshojnë agjendën e krerëve tanë”, tha Begolli-Pustina.
Çmimi i parë për storien më të mirë në kuadër të mjedisit i’u nda gazetares Dritë Slivova-Polisi nga Koha Ditore, çmimi i dytë i’u nda Florandë Morinës nga T7, çmimi i tretë u nda për Drenusha Canolli nga Insajderi dhe i katërti për Mejreme Gashi nga Klan Kosova.