Let’s Do It Kosova ka organizuar aksion pastrimi në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për nder të 22 prillit Ditës Ndërkombëtare të Tokës, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanj tha se tha se është fatkeqësi që Ditën e Tokës po e shënojnë duke pastruar deponi.
Ai ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet për moszbatim të ligjve, por pa faj nuk ka lënë as qytetarët që po hedhin mbeturina.
“Për fat të keq edhe këtë vit Ditën e Tokës po duhet ta shënojmë për të pastruar mbeturina e konkretisht edhe në kryeqytet këtu në Prishtinë njëra prej zonave që njihet me ndërtime, por e pakuptueshme se si janë krijuar këto mbeturina prej njerëzve të papërgjegjshëm”.
“Këtë vit jemi bashkorganizator dhe duhet që të mos ta ndotim mjedisin kemi mjaft shporta ku mund t’i hedhim mbeturinat, por nuk mundemi që të mos kërkojmë përgjegjësi prej institucioneve të fillojmë implementimin e strategjive dhe ligjeve për mjedisin dhe rritjen e inspektorëve sepse nëse vazhdohet për të mos e trajtuar si duhet mjedisin ky problem do të vazhdojë dhe do të vazhdojmë ta kemi Kosovën të ndotur”.
Arbnore Ademi, zëdhënëse në kompaninë “Pastrimi”, tha se kanë nevojë për përkrahjen e Qeverisë e që sipas saj, fatkeqësisht është duke e anashkaluar mjedisin.
“Vlen të ceket se deponi të tilla hasim kudo nëpër qytet. Kompania pastrimi vazhdimisht është duke bërë largimin e këtyre mbeturinave”.
“…shpresojmë që bashkërisht që në të ardhmen do të kemi çdo ditë dhe të jemi bashkërisht për të mbrojtur ambientin dhe na duhet përkrahja e institucioneve dhe e Qeverisë që fatkeqësisht janë duke e anashkalua mjedisin”.
Aktivistja Diellza Kolgeci, tha se mbrojtja e natyrës është edukatë familjare dhe se në shkolla duhet të ketë orë të veçantë për këtë çështje, raporton EO.
“Mendoj që kjo punë për vendim ku jetojmë vjen edhe si edukatë prej familjes. Duhet fëmijët të mësojnë qysh në vegjëli”.
“…duhet të merren iniciativa të ndryshme që edhe në shkolla të jepet një lloj ore se si ruhet natyra”.