Me moton “Për një Viti më të pastër”, organizata Let’s Do It Kosova në bashkëpunim me Komunën e Vitisë, kanë filluar zyrtarisht muajin e pastrimit, i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes qytetare për moshudhjen e mbeturinave, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, tha se Let’s Do It Kosova po bënë një punë të jashtëzakonshme duke treguar edhe për bashkëpunimet që kanë.
“Let’s Do It po bënë diçka të jashtëzakonshme në nivel vendi, në të gjitha komunat, por me Vitinë kemi bashkëpunime të ndryshme. Ne kemi një memorandum për pastrimin e 20 shkollave. Bashkërisht do ta implementojmë edhe grandin e përformancës që komuna e Vitisë e ka fitu në nivel vendi. Ka qenë njëra ndër komunat e para që ka shpallë vitin e ambientin. Do të punojmë edhe në shumë projekte të tjera. Vetëdijesimi nuk do të bëhet vetëm në shkolla, do të bëhet edhe në komunitete dhe do të zgjasë deri ne Ditën e Tokës që është 22 prilli”, ka thënë Haliti.
Përfaqësuesi i Let’s Do It Kosova, Besnik Shabiu, tha se organizimet e tilla bëhen për vetëdijesimin e qytetarëve për një ambient sa më të pastër.
“Let’s Do It po vazhdon bashkëpunimin shumë serioz me komunën e Vitisë, bashkëpunim ky që ka arritjet dhe synimeve e përbashkëta që të kemi një Kosovë pa mbeturina. Synimet janë që të kemi një ambient që qytetarët mos të hedhin mbeturina skaj rrugëve. Kështu bashkërisht kemi fillu shumë seriozisht të implementojmë projekte që shumë shpejtë kjo komunë të merret si model. Kemi fillu edhe kampanjën edukative me nxënës të shkollave dhe do ta vazhdojmë edhe me bashkësitë lokale dhe kështu do të arrijmë të eliminojmë te gjitha deponitë ilegale dhe në këtë komunë të flasim për projekte më madhore”, tha Shabiu, raporton EO.
Inspektori Skënder Ahmeti tha se faji është edhe tek institucionet për këtë gjendje. Ai ka apeluar tek qytetarët që të raportojnë.
“Duhet të bëjnë edhe institucionet pak më tepër në mënyrë që të kenë një sistem të menaxhimit të mbeturinave. Ne si inspektorat apelojmë te çdo qytetarë që të raportojë çoftë përmes fotografive këto raste. Kemi shqiptuar gjoba në masë të madhe. Kemi pas raste kur kanë raportuar edhe nga jashtë. Kemi gjoba prej 10 deri 100 euro varet çfarë shkelje kemi. Nëse nuk e paguan brenda kohës ajo shumë rritet”, tha ai.
Aktiviteti për pastrim në komunën e Vitisë do të realizohet në të gjitha shkollat e kësaj komune.