Vitia nis zbatimin e vendimit për rritjen e sigurisë në trafik

Prishtinë | 22 Kor 2017 | 14:49 | Nga

Komuna e Vitisë këtyre ditëve konform procedurave paraprake, ka nisur në teren zbatimin e planit të ri për rregullimin e komunikacionit në qytetin e Vitisë dhe territorin e saj, duke përfshirë të gjitha fshatrat e kësaj komune, me qëllim të ngritjes së sigurisë në komunikacion, njofton PlusTv.

Ndër të tjera, ky projekt i komunës përfshin mirëmbajtje dhe zëvendësimin e shenjave të komunikacionit të dëmtuara gjatë periudhës së fundit në qytet dhe në vendbanime.

Inspektori i komunikacionit në Viti, Bushat Zuka, i cili njëherit edhe ka punuar në hartimin e planit për rregullimin e komunikacionit në qytetin e Vitisë dhe territorin e saj, tha se nga ky plan i cili ka nisur së zbatuari në praktikë, do të rregullohet qarkullimi normal i mjeteve të trafikut, drejtimet e lëvizjes së automjeteve të trafikut, vendet për parkimin e mjeteve të trafikut, vend-ndaljet e mjeteve të transportit publik, vendosjen e shenjave të komunikacionit, vendosja dhe rregullimi i vendkalimeve në qytet dhe më gjerë, si dhe lëvizja e këmbësorëve.

Zuka, në një prononcim për Plus Tv, shtoi se tani në bazë të punimeve që janë duke u kryer nga operatori i përzgjedhur, po bëjnë shenjëzimin horizontal dhe vertikal të trafikut, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të komunikacionit dhe mbi të gjitha të parandalimit dhe mënjanimit të aksidenteve.

Sipas tij, përveç në qarkullimin e lirë të komunikacionit, por edhe të këmbësorëve, ky investim krijon kushte edhe për siguri të lëvizjes së lirë të qytetarëve fal edhe rregullimit të trotuareve në segmentet rrugore nga autoritete komunale viteve të fundit.

“Shenjëzimi horizontal dhe vertikal është duke u bërë në të gjitha udhëkryqet, vendkalimet për këmbësorë, rrugët që mundësojnë qasje në institucione si dhe në shkollat, gjithashtu dhe rrugët që lidhin Vitinë me fshatrat, por edhe më lagje e pranë objekteve të ndryshme për të siguruar lëvizje dhe qarkullim sa më të lehë për të gjitha pjesëmarrësit në komunikacion”, tha Zuka.
Ai shtoi se punimet në realizimin e fazës së parë të këtij projekti kanë filluar tashmë me shenjëzimin e vendkalimeve për këmbësorë në shumë lokacione të qytetit por edhe në Pozheran, Smirë, Ramnishtë e të tjera, dhe në ato pjesë ku është paraparë të plotësohet me vendkalime të reja për të vazhduar më pas me vendosjen e shenjave tjera nëpër qytet sikurse edhe fshatra.

Ndërkohë, autoritetet komunale kanë kërkuar nga qytetarët mos t’i dëmtojnë shenjat e komunikacionit, sepse ato rregullohen për sigurinë e tyre.

Ndryshe, vendimi i miratuar për rregullimin e komunikacionit, është pesëvjeçar, ku pesë vitet e ardhshme do të jenë tejet të rëndësishme sa i përket përmirësimit të gjendjes në trafik dhe rritjen e sigurisë.

Ky projekt i cili po realizohet nga buxheti komunal do të kushtojë afro 19 mijë euro, ndërkohë punimet aktuale të punëkryesit të kontraktuar nga komuna do të zgjasin në një afat një vjeçar, për të vijuar më pastaj me fazën tjetër.

Të ngjashme