Një garë më ndryshe dhe shumë më atraktive së shpejti do të fillojë në Gjakovë.
Nga 20 marsi në këtë komunë do të fillojë fushata “Gara për Gjakovë të pastër”, e cila do të jetë e hapur deri më 5 qershor 2019.
Qëllimi i kësaj fushate është të futen në garë bashkësitë lokale dhe shkollat e Komunës së Gjakovës, ku në fund do të përzgjidhen fituesit për tri vendet e para.
Gjatë dy muajve, sa është e paraparë të zgjat kjo fushatë, Let’s Do It do të ofrojë ndihmë për organizimin e aksioneve të pastrimit në Gjakovë.
Mes tjerash, vullnetarët e “Let’s Do It” do të pastrojnë një pjesë të lumit Krena.
Në kuadër të fushatës, do të ftohen qytetarët që të postojnë fotografi të gjendjeve aktuale me mbeturina në disa pjesë të qytetit si dhe do të lansohet një klip sensibilizues dhe materiale të tjera promocionale të cilat do ta promovojnë fushatën.
Shpallja e fituesve të tri vendeve të para në garën për mjedis do të bëhet në ditën e fundit të Fushatës [ 5 qershor 2019]. Do të përzgjidhen tri vende të para nga bashkësitë lokale dhe tri vende të para nga shkollat e Komunës së Gjakovës.