Avokati Asdren Bytyqi, është dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Belisar Jezercit, duke e akuzuar atë për thirrje të vazhdueshme për spastrime etnike dhe dhunë ndaj myslimanëve shqiptarë, raporton Ekonomia Online.
Para mediave, ai i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që ta kryejë punën e saj dhe të mos e humbas besimin e popullit.
“Kallëzim penal me dyshimin e kryerjes së veprave penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit, si dhe shtytjes në kryerjen e veprave terroriste, meqenëse i njëjti, në vazhdimësi, por veçanërisht përmes qëndrimeve të tij publike në rrjetin e tij social, konkretisht në statusin e fundit, bën thirrje për shfarosje, përkatësisht spastrimin etnik të të gjithë myslimanëve shqiptarë nga territoret e Dardanisë, ashtu siç i quan ai. I njëjti merr si shembull dhe model të ashtuquajtur “të duhur” zhvillimet aktuale që, sipas tij, po ndodhin në Iran, si dhe historinë e Spanjës dhe Greqisë, të cilat në Mesjetë – përkatësisht Spanja në vitet 1400–1500 – spastroi tërësisht territorin e saj nga myslimanët dhe hebrenjtë, ndërsa Greqia në vitin 1945 kreu spastrim etnik ndaj myslimanëve, veçanërisht ndaj shqiptarëve”, tha Bytyqi.
Ai tutje tha se ky akt është i paprecedentë dhe çmenduri që tejkalon kufijtë e lirisë së shprehjes.
“Ky është një akt i paprecedentë, një çmenduri që i ka tejkaluar kufijtë e lirisë së shprehjes dhe që, në një shoqëri me Kushtetutë, duhet të trajtohet seriozisht, pasi liria e shprehjes kufizohet në rastet kur ajo bie ndesh me sigurinë publike dhe interesin publik. Ky zotëri ka vepruar në këtë mënyrë duke nxitur dhe duke bërë thirrje masive për largimin e popullatës myslimane shqiptare nga territoret e Iliridës. Ky kallëzim penal është shembull dhe model se ne nuk do të ndalemi, jo vetëm ndaj këtij individi, por edhe ndaj të gjithë provokatorëve të tjerë nga Serbia, të cilët janë pjesë e lëvizjeve për rikthim, përkatësisht të ashtuquajturës Lëvizja e Deçanit, dhe që në vazhdimësi tentojnë të provokojnë dhe të nxisin urrejtje dhe përçarje ndërfetare në mesin e shqiptarëve”, theksoi ai.
Avokati Bytyqi u zotua se do të ndjekin mundësitë ligjore e nuk do të ndalen.
“Ju bëjmë me dije se do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë ligjore. Të njëjtit nuk duhet të tolerohen në një shoqëri ku toleranca fetare, bashkëjetesa dhe harmonia mes popullit shqiptar të feve të ndryshme kanë ekzistuar historikisht, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme historike të Serbisë dhe armiqve të saj për të nxitur përçarje mbi baza fetare”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, Bytyqi tha se janë dorëzuar rreth 25 prova që dëshmojnë thirrjet nxitëse të Belisar Jezercit.
“[Prokuroria] ta kryen detyrën e saj që ia përcakton kushtetuta dhe ligji. Ne presim që ky institucion duke e ditur që i kemi dorëzuar rreth 25 prova për zotëri Belisar, presim që Prokuroria Speciale ta ketë zellin edhe ndaj kësaj çështje. Të mos e humb besimin”, tha avokati.

