Lëvizja FOL ka publikuar Raportin mbi Monitorimin e Publikimit të Aktgjykimeve për periudhën janar – dhjetor të vitit 2021. Në këtë raport, thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë prin e para me mbi 5 mijë aktgjykime të publikuara, për çka kjo gjykatë është vlerësuar si më transparentja në Kosovë dhe ka marrë çmim nga Departamenti i Shtetit Amerikan, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën e organizuar me këtë rast, u tha se nga aktgjykimet, 50 për qind janë të natyrës penale, 10 për qind për çështje administrative. Ndërsa publikimi i aktgjykimeve të korrupsionit vazhdon të jetë ende i ulët.
Albina Rama nga Gjykata Themelore në Prishtinë, tha se është nder ta pranojnë këtë çmim, derisa shtoi se çmimin ua dedikojnë punëtorëve të cilët kanë arritur t’i publikojnë gjitha aktvendimet.
“Në emër të Gjykatës Themelore të Prishtinës është nder të pranoj çmimin si gjykata më transparente. Përmirësimi i qasjes në drejtësi janë elementet thelbësore. Unë këtë çmim ia dedikoj punëtorëve të gjykatës të cilët kanë punuar edhe jashtë orarit të punës që të arrijnë të publikojnë më shumë aktgjykime”, tha Rama.
Mexhide Demolli nga Lëvizja Fol, tha se publikimi i aktgjykimeve ndikon edhe në rritjen e sigurisë juridike. Ajo tha se për një periudhë 2 vjeçare ishin publikuar mbi 10 mijë aktgjykime.
“Publikimi i aktgjykimeve ndikon edhe në rritjen e sigurisë juridike. Përgjatë periudhës 3 vjeçare ishin publikuar mbi 10 mijë aktgjykime. Fol ka vazhduar me monitorimin sistematik. Nga muaji maj kemi ndarë dy çmime për gjykatat që kanë publikuar më shumë aktgjykime. Sa i përket nivelit të publikimit gjykata që kanë publikuar më shumë aktgjykime është Gjykata Themelore”, tha ajo.
E gjetjet e raportit për periudhën janar-dhjetor të vitit 2021, i prezantoi hulumtuesja e Lëvizjes FOL, Albana Hasani.
Ajo tha se gjetjet e raportit për këtë periudhë rezultojnë se janë publikuar mbi 24 mijë aktgjykime.
“Parimi i gjykimit me dyer të hapura nënkupton detyrimin e gjykatave për t’i publikuar vendimet. Raporti mbi monitorimin e aktgjykimeve përmban të dhënat në webfaqen e Këshillit Gjyqësor dhe ka për qëllim të paraqesë gjendjen faktike dhe të identifikojë problemet. Gjetjet e raportit janar-dhjetor 2021 janë publikuar mbi 24 mijë aktgjykime. Gjykata Themelore e Prishtinë me mbi 5000 aktgjykime të publikuara. 7 gjykata kanë publikuar dukshëm aktgjykime. Nga numri i aktgjykimeve, 50 për qind janë të natyrës penale, 10 për qind për çështje administrative. Publikimi i aktgjykimeve të korrupsionit vazhdon të jetë ende i ulët”, tha ajo.
Shawn Waddopus nga Departamenti i shtetit Amerikan, tha se do të vazhdojnë përkrahjen e institucioneve gjyqësore. Për këtë ai kërkoi përkrahjen edhe të shoqërisë civile.
“Dua t’iu përgëzoj gjykatat për punën e tyre majft të mirë për tiu ofruar qasje qytetarëve në këto informacione. Do të qëndrojmë të zotua rtë vazhdojmë këtë investim. Rastet që ju i trajtoni në gjykatë kanë të bëjnë me jetën e njerëzve. Mos shpalosja jo e duhur e informatave përbën shkelje të drejtave të qytetarëve. Qëllimi është jo vetëm t’i publikojmë këto aktgjykime por këto vendime të jenë sa më të mira. Ne do të vazhdojmë t’i përkrahim këto institucione gjyqësore por të kemi partneritet edhe me shoqërinë civile për të monitoruar gjykatat”, tha ai.
E kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, tha se nga perspektiva e sotshme duket e jashtëzakonshme që ka me mijëra vendime të publikuara. Ky proces sipas tij duhet të promovohet nga gjykatat e nga këshilli gjyqësor.
Ai tha se publikimi i vendimeve do t’i shërbejë edhe botës akademike.
“Unë besoj që kontrolli adekuat që mund t’i bëhet sistemit të drejtësisë është qasja e publikut në vendimmarrje tona. Duhet të mundësohet që qytetari ta sheh drejtësinë nga shtëpia, puna. Në raportin e progresit ka pasur vlerësim pozitiv por jo në masë të madhe. Ne kemi miratuar edhe udhëzuesin për publikimin e vendimeve. Bashkë me kryetarë të gjykatave do të flasim për 100 për qind të vendimeve që do të publikohen. Ne besojmë që publikimi i vendimeve do t’i shërbejë edhe botës akademike. Publikimi i vendimeve do të rrisë nivelin në masë të madhe të gjyqtarëve. Publikimi i vendimeve do ti shërbejë edhe organizatave profesionale qoftë për një skandal apo sfidë”, tha Zogaj.