Lëvizja për drejtësi ka reaguar lidhur me mosanëtarësimin e Kosovës në Interpol.
Sipas kësaj lëvizjeje, kjo gjë tregon paaftësinë e shtetit për t’u marrë me çështje serioze.
Reagimi i plotë:
“Mosanëtarësimi i Kosovës në Interpol në një organizatë ndërkombëtare që lufton kriminalitetin tregon paaftësinë e krerëve të shtetit për t’u marrë me çështje serioze.
Ky dështim vjen si rezultat i politizimit të diplomacisë Kosovare dhe mos aftësisë së saj për t’i bindur së paku shtetet që na kanë njohur për një votë pro. Në bazë të rezultateve të votimit del se Serbia edhe gjatë pauzës së rundit të parë ka arritur t’i bindë 20 shtete që në rundin e dytë të votojnë kundër. Për Kosovën anëtarësimi në Interpol përveç se një fitore diplomatike, do të ishte edhe brenda një familje që lufton krimin global.
Dështimi në këtë arenë dhe vazhdimi i përfaqësimit të Kosovës me këtë përbërje të Qeverisë, është tregues se ne si shtet do të ballafaqohemi edhe në vazhdim me dështime. Gjitha këto do të forcojnë politikën e jashtme të Serbisë ndaj kërkesave të tyre për të zhbërë apo për të zbehur shtetësinë tonë.
Politika e jashtme kërkon kredibilitet për angazhim në ndërtimin e marrëdhënieve konstruktive për anëtarësimin e Kosovës në asociacione dhe organizma ndërkombëtare. Ne si Lëvizje për Drejtësi vazhdojmë të besojmë që vetëm zgjedhjet janë zgjidhje për Kosovën dhe qytetarët e saj.