Robert Lewandowski ka sqaruar se fjalët e Lionel Messit drejtuar atij në ceremoninë e Topit të Artë e prekën atë vërtet.
Messi e pranoi se Lewandowski është dashur ta fitonte të paktën një Top të Artë deri tani në karrierën e tij, duke e parë shkëlqimin e tij në fushë për Bayern Munich, raporton Gazeta Express.
Në një intervistë pas ceremonisë, Lewandowski ishte cituar të kishte thënë se fjalët e Messit ishin boshe, gjë të cilën e mohoi menjëherë sulmuesi polak.
Dhe tani, në një bisedë me gazetën gjermane Bild, Lewandowski ka thënë se fjalët e Messit nuk ishin aspak boshe, por do të mbesin një çast i këndshëm në karrierën e tij.
“Fjalët e Messit drejtuar mua (për Topin e Artë) më prekën vërtet. Ato nuk ishin fjalë boshe, ishte një çast i këndshëm në karrierën time”, tha Lewandowski për Bild.
“Me Leon i ndërrova vetëm disa llafe, sepse spanjishtja ime nuk është aq e mirë. Fola me Kylian Mbappen në anglisht, ai përktheu për Leon. Ishte një natë madhështore”, shpjegoi polaku.
I pyetur se çfarë duhet të bëjë ai për ta fituar Topin e Artë në të ardhmen, Lewandowski shtoi: “Hollësitë janë të rëndësishme, çdo gjë duhet të jetë në vendin e vet. Çfarë mund të garantoj unë është se do të vazhdoj ta bëj punën time dhe të luaj sa më mirë”.