Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në promovimin e librit ‘Kryemjeshtri’ i autorit Arsim Maxherra kushtuar jetës dhe suksesit të mjeshtrit të madh, Toni Kuka.
Haradinaj ka thënë se xhudo mbetet sporti kulminant në Kosovë.
“Xhudoja mbetet sporti kulminant në vendin tonë. Kosova jo rrallë dukej më e mira përballë shumë shteteve të mëdha botërore e evropiane, dhe kjo falë xhudistëve tonë të cilët radhisnin triumfet një nga një”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se suksesi në xhudo është meritë e mjeshtrit të madh, Toni Kuka.
“Padyshim, ky sukses është meritë e mjeshtrit të madh Toni Kuka dhe familjes së tij, të cilët me suksesin e tyre bënë krenar një popull duke i sjellur Kosovës qindra medalje të arta. Toni Kuka, me punën e tij ka arritur që të nxjerrë kampionë në nivel botëror si; Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Distria Krasniqi e shumë tjerë, duke u bërë inspirim për shumë të rinj”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se sukseset e Kukës janë frymëzuese për promovimin e imazhit të Kosovës në botë.
“Ishte kënaqësi e veçantë të marrë pjesë në promovimin e librit ‘Kryemjeshtri’, me autor gazetarin Arsim Maxherra, kushtuar jetës dhe suksesit së tij. Sukseset e tij janë frymëzues për promovimin e imazhit të Kosovës kudo në botë”, ka përfunduar Haradinaj.