Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në takimin me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, ka arritur të bie në ujdi që Kuvendi të nxjerr një deklaratë me të cilën do të kërkohet nga Bashkimi Evropian që qytetarëve të Kosovës të mos ju mohohet lëvizja e lirë – si rezultat i mos ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.
Në këtë deklaratë theksohet se pavarësisht dallimeve mbi mënyrën e shënjimit e kufirit mes Kosovës dhe Mali të Zi, koalicioni qeverisës, dhe opozita, qëndrojnë të bashkuar në qëllimin që ky proces të përmbyllet sa më shpejtë që është e mundur.
“Duke marrë për bazë këtë konsensus parimor, ne si përfaqësues të popullit kërkojmë mirëkuptimin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që qytetarëve të Kosovës t’ju njihet e drejta e lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Ju njoftojmë se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave”, thuhet në deklaratë.
Kjo nismë e Kuvendit është vlerësuar si hap i duhur nga partneri I koalicionit qeverisës – PDK. Deputetja, Blerta Deliu-Kodra ka thënë për Telegrafin se me këtë do t’i bëhet e qartë BE-së dhe Brukselit se qytetarët e Kosovës nuk bënë të mbesin peng i mos liberalizimit.
“E kemi marrë draftin e kësaj deklarate. Ende nuk është i finalizuar”, u shpreh Deliu-Kodra.
Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka thënë se akoma nuk është dorëzuar kjo deklaratë, për çka reziston të japë deklaratë.
“Nuk na është dorëzuar dhe nuk jemi të informuar. Nuk e dimë se a ka deklaratë dhe çka përmban ajo”, ka thënë shkurt Salihaj.
“Lëvizja Vetëvendosje ka interesim e vullnet të plotë për demarkim të saktë të kufirit me Malin e Zi, dhe jemi të gatshëm për të marrë pjesë në një proces të drejtë për të realizuar këtë. Por, kjo mundësohet vetëm me rikthimin e demarkacionit në pikën zero”, ka thënë Shkodran Hoti për Telegrafin. “Çdo vonesë në procesin e liberalizimit të vizave është pasojë e papërgjegjësisë së kësaj qeverie”.
Kurse, MuharremNitaj nga AAK, i ka thënë Telegrafit se fjala është për një deklaratë që po provohet të harmonizohet bashkërisht.
“Kjo nuk është deklaratë e Qeverisë, por përpjekje e përbashkët e përpilimit të një deklarate për çështjen e liberalizmit dhe kufirit me Malin e Zi”, ka thënë shkurt Nitaj.
E, deputeti nga radhët e Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, shprehet se ende nuk e kanë marrë asnjë variant të kësaj deklarate.
“Kemi diskutuar për një letër që Komisioni për Politikë të Jashtme i Kuvendit mund t’ia dërgojë BE-së e në të cilën do të zotohemi për gatishmërinë për të zgjidhur kontekstin me Malin e Zi”, ka thënë Berisha për Telegrafin.
“Ky nuk është hap për zgjidhjen e kontestit me Malin e Zi, sepse kjo çështje duhet trajtohet në nivelin e partive politike.
Mbetet të shihet nëse propozimet e partive opozitare do të pranohen nga ana e koalicionit qeveritar, kur dihet se opozita vazhdon të kundërshtojë versionin aktual të demarkacionit.