Më shumë se dy vjet kanë kaluar qëkur Komisioni Evropian pati rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën, duke e kushtëzuar edhe me dy kushte, shkruan sot “Koha Ditore”.
Tash Komisioni bëri edhe hapin e fundit që i takon në procesin e vendimmarrjes dhe konfirmoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara dhe se gjithçka tash është në duart e Parlamentit Evropian dhe të vendeve anëtare në Këshillin e BE-së.
Komisioni përmes raportit konfirmoi të mërkurën se Kosova i ka përmbushur edhe dy kushtet e mbetura, atë të ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe vendosjen e një regjistri të dëshmive në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po ashtu përmes këtij raporti Komisioni ka konfirmuar se Kosova vazhdon t’i përmbushë edhe kushtet të cilat i kishte plotësuar që në muajin maj të vitit 2016, kur edhe Komisioni kishte dhënë rekomandimin e kushtëzuar.
Në këtë mënyrë Komisioni e ka kryer pjesën e vet të punës dhe tash, sa i përket atij, nuk ka më pengesa teknike në këtë proces.