Librat, mësuesit, nxënësit dhe Edukata Qytetare

Prishtinë | 17 Tet 2016 | 14:56 | Nga Rrahman Paçarizi

Të dashur njerëz që ndiheni përgjegjës,

Mbesa ime, Jerina shkon në klasën e gjashtë në shkollën fillore “Emin Duraku” në Dragobil të Malishevës, aty ku edhe unë e kam kryer filloren. Një ditë, deri sa bënte detyrat në lëndën Edukatë Qytetare, Jerina nuk po arrinte me e gjetë komunën e Malishevës në hartën e dhënë në atë libër. I duhej ta gjente patjetër, pasi detyra e kërkonte qartë që të shpjegohej emblema e komunës dhe të gjendej ajo komunë në hartë (komuna në të cilën jeton nxënësi), por assesi ta gjente. Duke e mposhtur krenarinë prej nxënëseje të mirë, Jerina iu drejtua për ndihmë të atit, Artanit, i cili ndonëse edhe vetë punon në komunën e Malishevës, nuk arrinte me e gjetë. Ndihma finale kërkohet te gjyshi enciklopedik, ndonëse me shumë hezitim, pasi gjyshi do ta qortonte që kërkonte ndihmë për një pyetje aq të lehtë…

Për çudi, as gjyshi nuk e gjente dot komunën për themelimin e të cilës kishte punuar shumë gjatë mesit të viteve ’80. Babai dhe gjyshi i Jerinës nuk kishin arritur t’i jepnin përgjigje dhe Jerina po dëshpërohej – autoritetet e dijes, pas mësuesve, po i veniteshin: si ka mundësi të mos dinë as baba e as gjyshi, sidomos kur baba edhe vetë punon në komunë e gjyshi lexon gjithë ditën?!

Libri Edukatë qytetare i klasës së gjashtë paska në vete një hartë të kohës së Millosheviqit, një hartë të bërë në kohën kur Malisheva ishte shuar si komunë. Kjo hartë është në librin Edukatë qytetare, i cili u tregon nxënësve edhe se në cilin shtet jetojmë, cili është organizimi administrative, cili është sistemi politik, cilat janë të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës etj. Por, Jerina, shokët e shoqet e saj të klasës dhe të gjithë nxënësit e Malishevës kanë të drejtë të mos i besojnë asnjë pohimi në atë libër, pasi komuna e tyre nuk është në hartë. Jerina & co. tashmë e kanë kuptuar se harta është hartë administrative e Serbisë së Millosheviqit, ndërkohë që në atë libër u thuhet se ata jetojnë në Republikën e Kosovës, për të cilën republikë kanë luftuar madje, sidomos në atë rajon, baba i Jerinës, axha i saj (jo unë), ashtu si baballarët e xhaxhallarët e pothuajse të gjithë atyre fëmijëve.

Ky “lëshim” edhe mund të përbihet e dikush mund të thotë lërini këta patriotizma se nuk është bërë name. Pooor, problem është fort më i madh se kaq.

Ai libër është në qarkullim që nga viti 2007, ai libër ka sigurisht autor(ë). Autori a autorët paguhen për punën që e kanë bërë për atë libër dhe nëse ai tekst shkollor ka përjetuar disa botime, fitimi nuk është i papërfillshëm. Po, hajt se s’u bo nami, most ë bëhemi kaq cikrrimtarë, ka me thënë dikush. Hajt, po e zëmë se vërtet nuk bëhet nami. Nuk bëhet name edhe se baba e gjyshi i Jerinës nuk kanë arritur ta gjejnë Malishevën në hartë. Tekefundit i kanë kallxu Jerinës se ç’hartë është ajo, madje baba i Jerinës e ka problematizu çështjen në rrjetet sociale, në komunë etj.
Por, e gjithmonë është një POR, qysh ka mundësi që për nëntë vjet sa libri ka shërbyer si tekst shkollor ka kalu pavërejtshëm. Çka kanë bërë mësuesit, si e kanë zhvillu atë detyrë, ç’nota kanë marrë nxënësit për atë detyrë?

Po, hajt se vetëm nxënësit e Malishevës (komuna e 11 për nga madhësia në Kosovë) e kanë pasur këtë detyrë, e s’u bo nami.

(Sërish) POR, pse mësuesit e klasës së dytë (me sa kuptova nga shkrimi i një nëne të shqetësuar) të shkollës fillore nuk e kanë vërejtur që në librin e leximit flitet për “FJALIA MË E VOGËL”. Në asnjë shkollë këta mësues nuk kanë mësuar për fjali të vogla e të mëdha. Kanë mësuar për fjali të thjeshta e të zgjeruara, apo të përbëra, kanë mësuar për fjali e periudha e për struktura të tjera gramatikore, por asnjëherë për “Fjalia më e vogël”. Unë, mësova nga ai libër se “Fjalia më e vogël është ajo nga e cila nuk mund të heqim asnjë fjalë pa e prishur kuptimin”.

Tash, a duhet të testohen mësuesit? Unë nuk e di, pasi sindikatat mund të grevojnë se u lënduaka sedra e mësuesve. Por e di që duhet të matet saktësisht performansa e tyre. Ndryshe, testi i Pizza-s mund të na dalë fort i keq (nëse s’ka dalë deri tash).

Prandaj, ministri i arsimit, miku im i çmuar Prof. Dr. Arsim Bajrami, gjatë kohës së të cilit NUK janë bërë këta libra, duhet të ndërmarrë veprime urgjente për kurrikulat e reja (duke i përzgjedhur ndoshta me konkurs ata që i hartojnë kurrikulat), duhet të shpallë urgjentisht konkurs për tekstet shkollore dhe të pranohen vërtet tekstet më të mira e jo tekstet më të lira, duke pranuar autorët më të dijshëm e jo më entuziastët.

P.S.
Testi i Pizza-s ka me na e qitë veten prej hujit, ka me na e bo bajat. Sindikatat janë për më e mbrojtë të drejtat e mësuesve, por të mësuesve ama.

(Autori është profesor universitar)

Të ngjashme