Liderët kanë marrë obligime ndërkombëtare, duhet t’i realizojnë ose do të ballafaqohen me pasoja

Prishtinë | 09 Jan 2018 | 12:43 | Nga

Një udhëtim i anuluar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të mos lëshimit të vizës, ka nxitur debate në Kosovë, nëse lidershipi i këtushëm mund të përballet me masa izolimi pas disa përplasjeve me përfaqësuesit ndërkombëtar.

Mospërfillja e vazhdueshme e thirrjeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe nisma në Kuvendin e Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, nga analistë vendorë ishin vlerësuar se mund të përcillen me pasoja për Kosovën dhe liderët e saj.

Së fundit, ishte një zyrtar nga Garda Nacionale në Iowa të SHBA-së i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka anuluar vizitën në këtë shtet me arsyen se “ai nuk ka mundur ta marr vizën”.

Kolonel Greg Hapgood, zëdhënës i Gardës së Iowa-s, ka thënë se Haradinaj pritej të merrte pjesë ditën e enjte në një ngjarje të organizuar nga Komandanti i Gardës Nacionale në Iowa, Timothy E. Orr.

“Kryeministri Haradinaj ka qenë i ftuar nga gjenerali Orr në atë ngjarje mirëpo është për keqardhje që ai nuk ka mundur ta marr vizën dhe të jetë së bashku me ne”.

“Shpjegimi ka qenë se vizita nuk do të ndodhë tash në këtë kohë dhe nuk kemi marrë më shumë informata shtesë”, ka thënë kolonel Greg Hapgood.

Sipas tij, në vend të Haradinajt pritet të marrë pjesë zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.

Ditëve të fundit, në mediet vendore në Kosovë, është përfolur se kryeministrit Haradinaj i është refuzuar viza për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në “Lutjet e mëngjesit”, organizim ky i përvitshëm në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Por, Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit Haradinaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se viza e kërkuar nga kryeministri për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara nuk ka pasur të bëj fare me “Lutjet e mëngjesit”.

“Kryeministri Haradinaj ka qenë i ftuar në shtetin Iowa nga gjenerali Orr, i cili shtet i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka marrëdhënie në shumë fusha me Kosovën e veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, me Forcën e Sigurisë së Kosovës. Nuk ka të bëj, siç po spekulohet në disa medie të Prishtinës se viza ka të bëj për shkuarjen në Uashington për ‘Lutjet e mëngjesit’. Ndërsa, viza është në procedurë të rregullt dhe ende kryeministri nuk ka marrë asnjë shpjegim, as për as kundër”.

Në anën tjetër ftesën për “Lutjet e mëngjesit” e ka marrë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Por nga kabineti i tij kanë thënë se lidhur me pjesëmarrjen e tij në këtë organizim, “do të ketë koordinim me agjendën e përcaktuar”.

Ndërkaq, zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje nëse një ftesë për “Lutjet e mëngjesit” e ka edhe presidenti.

Ndryshe, zvarritja e çështjes së ratifikimit të marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi, si dhe së fundmi tentimi që para deputetëve të Kuvendit të Kosovës të dërgohet kërkesa për shfuqizimin e Gjykatës speciale për krime të luftës në Kosovë, në masë të madhe kanë ndikuar në acarimin e raporteve ndërmjet drejtuesve të lartë institucional të Kosovës dhe ambasadorëve të vendeve perëndimore në Kosovë.

Një acarim i tillë i raporteve është reflektuar sidomos në reagimet e ambasadorëve të vendeve të Kuintit.

Por, a ka ndikuar dhe a do të ndikojë acarimi i këtyre raporteve edhe në çështjen e dhënies ose jo të vizave nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për zyrtarët e lartë të Kosovës?

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë thekson se çështja e vizave është rregulluar në secilin shtet veç e veç dhe ftesat e caktuara nuk e garantojnë me automatizëm edhe marrjen e vizës. Por, sipas tij, në rastin e protokolleve diplomatike, ekziston procedurë krejt tjetër, por kjo duhet parë në parim dhe jo në raste të veçanta.

“Ajo që e them unë ka të bëj me politika parimore. Një vend hyn nën sanksione ose një udhëheqësi hyn nën sanksione për çështje të caktuara dhe gjithashtu mund të jetë edhe lista me emra të përveçëm ose konkret, jo pse ka dallime politike, por sepse ka veprime antidemokratike dhe antiligjore. Në këtë çështje, duhet të diskutohet se në cilën fazë është udhëheqja e Kosovës dhe sa është në kundërshtim me interesat e popullit ose me vullnetin e popullit, nga i cili i kanë marrë votat”.

Udhëheqësit e Kosovës, sipas politologut Tahiri, kanë marrë obligime ndërkombëtare dhe ato duhet t’i realizojë. Në të kundërtën vendi, por edhe vet liderët institucional do të ballafaqohen me pasoja.

“Pas pushimeve të Krishtlindjes do të shihet se deri ku mund të tolerohen që të mos zbatohen vendimet që kanë qenë obligim dhe me të cilat këta e kanë marrë edhe pushtetin. Këto nuk janë të fshehta, por këto veprime do të jenë shumë konkrete dhe do të thuhen publikisht, edhe mospajtimet që i ka në këtë rast Bashkimi Evropian me politikën e Kosovës dhe me bartësit institucional, por gjithashtu edhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë një rol shumë të rëndësishëm në pavarësinë e Kosovës si dhe në ndërtimin e saj institucional”.

Siç kanë thënë më herët njohësit e çështjeve juridike dhe politike moszbatimi i obligimeve ndërkombëtare nga ana e Kosovës, mund t’i përkeqësoj ndjeshëm raportet e vendit me aleatët ndërkombëtarë. Kjo, sipas tyre, do ta vinte Kosovën përballë pasojave të shumëfishta.

Të ngjashme