Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas e ka quajtur “bir qeni” ambasadorin amerikan në Izrael, për shkak se ai ka mbështetur vendbanimet izraelite të ndërtuara në Bregun Perëndimor.
Pas këtyre komenteve ka reaguar zyrtarët e Shtëpisë e Bardhë, duke shprehur zemërim, për siç është thënë, “ofendimin e rëndë”.
“Ka ardhur koha për presidentin Abbas që të zgjedhë në mes të retorikës urrejtëse dhe përpjekjeve konkrete dhe praktike, që do të përmirësonin jetën e popullit të tij dhe t’i udhëheq ata në paqe dhe prosperitet”, ka thënë i dërguari i ShBA-së në Lindjen e Mesme, Jason Greenbaltt.
Abbas i kishte bërë këto komente pasi ambasadori amerikan David Friedman kishte mbrojtur vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor.
“Biri i qenit thotë se ata po ndërtojnë në tokën e tyre? Ai dhe familja e tij kanë ardhur këtu dhe ai është ambasador i ShBA-së në Tel Aviv. Çfarë duhet të presim nga ai?”, ka thënë Abbas.
Ambasadori Friedman gjithashtu mbështetë vendimin e presidentit Donald Trump për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, një vendim ky që ka zemëruar Abbasin dhe shumë palestinezë të tjerë.
Ambasadori Friedman i është përgjigjur komenteve të Abbasit, duke pyetur nëse ato pasqyrojnë “antisemitizëm apo ligjërim politik”.