Në një ceremoni të organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, u përurua romani më i ri i shkrimtarit Muharrem Elezi, “Pas Natës”, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Shoqatës Shyqri Galica vlerësoi veprën si një prozë artistike me bazë dokumentare, që trajton ngjarje dramatike të lidhura me historinë dhe jetën bashkëkohore shqiptare, si lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe masakra e Reçakut.
“Faktikisht romani njihet si krijim i shekullit të ri dhe trajton raportet e reja ndaj jetës dhe botës, një kompleks trajtimesh artistike si dëshmi e temës që merr lëndën nga burime të ndryshme, ngjarje, karaktere, figura etj. Romani Pas natës i shkrimtarit Muharrem Elezi është një prozë artistike, mbështetur në elemente dokumentare jetësore, që në të vërtetë do të mund të hynte në prozën dokumentare që sot shkruhet në masë të madhe dhe lexohet më shumë se krijimet e tjera të kësaj natyre. Personazhet që ndërtojnë ngjarjet e njëpasnjëshme në fakt janë shtatëmbëdhjetë tregime me një epilog, që realisht quhen dhe roman. Romani.”, deklaroi Galica.
Sipas tij, romani i strukturuar në shtatëmbëdhjetë tregime dhe një epilog, përshkruan me realizëm jetën, luftën, tragjiken dhe shpresën, duke sjellë një panoramë të gjerë të karaktereve dhe përjetimeve njerëzore.
Pas natës ngërthen ngjarje dramatike, situata që ndërtohen me shumë kujdes dhe me një gjuhë tejet të lidhur kuptimisht, sidomos pjesa rrëfimore që përmban pjesën dërrmuese të veprës. Shkrimtari Muharrem Elezi ka një koncept të qartë kur mbështetet në ngjarje të caktuara, të cilat lëvizin nga një kënd në tjetrin, nga një botë në tjetrën dhe ndërlidhen me veprime kurioze të personazheve, të cilat herë lumturohen e herë tjetër fundosen. Kjo në të vërtetë është jeta që ndërtohet me plane të caktuara, me koncepte që kanë një cak e përmbajtje dhe drama, ngjarje që trumbetohen për të ecur në mënyrë vertikale, fisnike dhe të tjera që tregojnë karaktere që mbase përfundojnë dhe fatalisht”, theksoi Galica.
Autori futet thellë në ngjarje dhe në botën e personazhit, sikur bashkëjeton me to, me gëzimet e kënaqësitë, por edhe me dështimet e tragjikën e tyre. Qëndrimi i tij ndaj tyre është asnjanës dhe në asnjë situatë nuk mund të vërehet farë animi që do ta dobësonte komunikimin artistik të veprës. Në vepër gjejmë elemente aktuale: është lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, masakra e Reçakut, luftëtarët e lirisë, është mërgimi e shpirti që përvëlon prindin, dashuria e zjarrtë për atdheun, por janë edhe moskuptimet e afrimet, janë pagartësitë e refuzimet, janë deformimet e përmirësimet. Është një kompleks i jetës sonë në rrjedhat historike e aktuale, figura që përditë veprojnë për ta ndërtuar jetën, por edhe të tillë që devijojnë,” theksoi ai.
