Sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit ka dënuar, vendimin e Kosovës për të hapur Ambasadën në Jerusalem dhe për të njohur Jerusalemin si kryeqendër të Izraelit, shkruan “Daily News Egypt”.
Aboul Gheit ka thënë se vendimi është jolegjitim, dhe po ashtu paraqet shkelje të drejtës ndërkombëtare, që e konsideron Jerusalemin si territor të okupuar. Ai ka thënë se e drejta ndërkombëtare ndalon bartjen e ambasadave në këtë qytet.
Në një komunikatë të lëshuar të mërkurën, ai ka thënë se vendimi i Kosovës është në ndesh me konsensusin ndërkombëtar sa i përket hapjes së ambasadave në Jerusalem. Vetëm dy shtete deri më tash kanë thyer këtë konsensus, SHBA-ja dhe Guatemala.
Në të njëjtën kohë, Aboul Gheit, ka thënë se rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara janë të qarta, veçanërisht ajo 478 e vitit 1980.
Ai ka thënë se hapja e ambasadave të veta në Jerusalem nga çfarëdo shteti, nuk e ndryshon faktin se qyteti është nën okupim.
Kosova dhe Izraeli dje kanë zyrtarizuar marrëdhëniet diplomatike, dhe është paralajmëruar hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Më herët ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe Turqia.