Liga e basketbollit në Kinë do të rifillojë më 20 qershor pas pezullimit disa mujor shkaku i pandemisë COVID-19. Lajmin e ka bërë të ditur Federata e Basketbollit të Kinës të enjten, njofton agjencia Reuters.
Elita e basketbollit të Kinës, CBA, që ka filluar në nëntor të vitit të kaluar, është pezulluar më 1 shkurt për shkak të koronavirusit të ri që ka shkaktuar vdekjen e më tepër se 4600 personave në Kinë.
Mirëpo, CBA në një komunikatë ka thënë se ka marrë aprovimin nga autoritetet sportive dhe shëndetësore të vendit për të rifilluar më vonë këtë muaj dhe kanë filluar përgatitjet.
Është shtuar se ndeshjet e mbetura do të luhen në qytetin Qingdao, në provincën Shandhong dhe në qytetin Dongguan, në provincën Guangdong, ndërsa nuk do të lejohet prania e shikuesve.
Liga ka 20 klube dhe janë luajtur 30 nga 46 xhirot e stinorit të rregullt.