Një grup i futbollistëve të shurdhër në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, kanë krijuar ligën e tyre pasi nuk janë lejuar të jenë pjesë e skuadrave të futbollit në këtë shtet.
Në të vërtetë ata nuk janë lejuar nga Federata e Futbollit e Somalisë, por për të realizuar ëndrrën e tyre që të bëhen futbollistë nuk janë dorëzuar për asnjë moment.
Tashmë janë themeluar disa skuadra të futbollistëve të shurdhër në Mogadishu që luajnë në ligën e tyre prej vitit 2010. Liga e tyre jo vetëm që ka popullaritet të madh në këtë vend, por përkrahet në masë të madhe edhe nga tifozët që përcjellin ndeshjet e këtyre skuadrave unike.
“Ne nuk kemi pasur trajtim të barabartë me të tjerët dhe nuk kemi mundur të jemi pjesë e ekipeve që marrin pjesë në ligat e futbollit që organizohen nga federata. Kështu që, nga dëshpërimi dhe dëshira e madhe kemi vendosur të krijojmë ligën tonë të futbollit, siç njihet me emrin Liga e Futbollistëve të Shurdhër”, thotë Abshar, njëri prej futbollistëve të shurdhër. “Liga jonë është atraktive dhe ka përkrahje të madhe prej banorëve të Mogadishut, të cilët jo vetëm që vijnë për të na përcjellë, por edhe na motivojnë duke na përkrahur vazhdimisht”.
Abshar pranon se lojtarët nuk dëgjojnë brohoritjet e tifozëve, por bazohen në gjestet e tyre dhe valëvitjen e flamujve.