Me 61 vota për dhe 24 vota kundër, Kuvendi miratoi ligjin për arsim të lartë. Zëvendës/ministri për arsim dhe shkencë Arbër Ademi tha se në hartimin e ligjit për arsim të lartë kanë marrë pjesë të gjithë aktorët relevant.
Ademi tha se me ndryshimet në këtë ligj pritet të rritet cilësia e arsimit të lartë dhe universiteteve në përgjithësi.
“Ky ligj ka një sërë risish, ndër to do të veçoja këshillit nacional për arsimin e lartë dhe agjencinë për cilësinë në arsimin e lartë, në kuadër të këtij të fundit do të jetë edhe bordi për akreditim dhe bordi i evoluimit. Do të ketë kritere më të rrepta për akreditimin e programeve studimore, institucioneve të larta studimore dhe kuptohet, do të ketë evoluim sipas rregullave, të cilat garantojnë cilësi”, tha Arbër Ademi, zv/ministër për Arsim dhe Shkencë.
VMRO-DPMNE ishte partia e vetme që votoi kundër sjelljes së këtij ligji. Koordinatori i grupit parlamentar të kësaj partie tha se arsyeja pse nuk do ta mbështesin ligjin është refuzimi i 18 amendamenteve të propozuara nga ata.
Sa i përket përmbajtjes së tekstit, Danev tha se vlerësimi i ekspertëve për ligjin për arsim të lartë është negativ dhe të njëjtët kanë theksuar se ky ligj kthen sistemin e arsimit të lartë 30 vite mbrapa.
“Presim që ky ligj që është sjellë me kërkesë të plenumit profesorëve dhe studentëve, për gjashtë muaj apo 1 vit do të arrijë që universitetet më cilësore, t’i dërgojë në një nivel të lartë të listave të Shangait ku matet cilësia e universiteteve të larta të gjitha institucioneve të arsimit të lartë. Ja do të presim një vit e të shohim a do të ndodhë një gjë e tillë”, tha Dragan Danev, koordinator i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së.
Viteve të fundit është trefishuar numri i universiteteve publike. Përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe sindikatave në vazhdimësi kanë kritikuar gjendjen e sistemit universitar. Përfaqësuesja e Sindikatës së pavarur të akademikëve, Maja Stefanoviq, gjatë protestës së organizuar për ditën e punës, theksoi se përderisa është rritur numri i universiteteve, buxheti ka ngelur i njëjtë, gjë që sipas saj ka ndikuar në rënien e cilësisë së universiteteve publike.
“Në Maqedoni tashmë me vite të tëra, buxheti për arsim të lartë vazhdon të mbetet i njëjtë, ndërkohë që numri i universiteteve publike është rritur për tre herë e gjysmë. Kjo ka sjellë në përkeqësim të kushteve për punë, si dhe në zvogëlim të cilësisë së arsimit”, tha Maja Stefanoviq, sindikata e pavarur e akademikëve.
Ndryshe ligji për arsim të lartë është pjesë e strategjisë qeveritare për zhvillim të arsimit 2018-2025. Në fazën e tij të propozimit, ai u përshkua me shumë debate në media.