Kuvendi i Maqedonisë e ka vendosur sërish për votim Ligjin për përdorimin e gjuhëve, dispozitat e të cilit avancojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
Në njoftimin e Kuvendit thuhet se në seancën e caktuar për më 29 janar, në rend dite do të jetë leximi i tretë i këtij ligji, që është refuzuar të dekretohet nga presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov. Kreu i shtetit ka refuzuar të fuqizojë këtë ligj, të miratuar më 11 janar, me arsyetimin se “ligji është antikushtetues pasi në Maqedoni gjuhë zyrtare është vetëm se gjuha maqedonase dhe se në formën siç është miratuar, ligji i vendos në pozitë të pabarabartë gjuhët e bashkësive tjera etnike”.
Ka reaguar edhe VMRO-DPMNE-ja opozitare, e cila për dallim nga herët e tjera kur ishte absolutisht kundër një ligji të tillë, tani kërkon debat gjithëpërfshirës që të ndryshohet përmbajtja e tij, apo të hiqen pjesët që sipas kësaj partie rrezikojnë shtetin maqedonas.
“Me këtë ligj shkelet Kushtetuta, me çka tentohet të ndryshohet karakteri unitar i shtetit dhe të rrezikohet sovraniteti i Maqedonisë. Këtë ligj, Qeveria tenton që ta shtyjë përmes derës së vogël pa një konsultim të gjerë me ekspertët dhe opinionin në përgjithësi, i cili në pjesën më të madhe ishte kundër një zgjidhjeje të tillë”, ka deklaruar Igor Janjushev, Sekretar i Përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.
Partitë në pushtet, ndërkohë janë të vendosura të miratojnë ligjin në formën e propozuar, duke refuzuar kështu debatin e kërkuar nga opozita. Nga Qeveria kanë thënë se VMRO-ja mund të ndërhyjë me amendamente që do të kenë për bazë vetëm se vërejtjet e prezantuara nga presidenti Gjorge Ivanov.
Kryeministri Zoran Zaev në një prononcim për mediat ka thënë se e gjithë përmbajtja e Ligjit për gjuhët është në përputhje me Kushtetutën, respektivisht me nenin 5 të Kushtetutës, transmeton rel.
“Unë edhe njëherë dërgoj mesazhin se ja vlen që të gjithë ne të angazhohemi për një shoqëri për të gjithë. Maqedonia duhet të jetë nënë për të gjithë, pa marr parasysh përcaktimet etnike, fetare por edhe politike. Ne duhet të shtrijmë dorën dhe të besojmë në institucionet. Shpresoj se nëse diçka nuk është në përputhje me Kushtetutën, ekziston Gjykatë Kushtetuese, Komision i Venedikut të cilat do ta thonë mendimin e tyre. Por, vlerësoj se të gjithë ne duhet të kemi kujdes me porositë politike, pasi mendoj se edhe kjo çështje duhet të mbyllet që të përkushtohet për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar Zaev.
Edhe ekspertët për çështje juridike thonë se dispozitat e ligjit që është në procedurë, nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe se nuk mbajnë pretendimet se me këtë ligj, zyrtare në Maqedoni krahas maqedonishtes do të jetë edhe gjuha shqipe.
“Mendoj se është në kuadër të normave kushtetuese, pasi që të barazohet gjuha shqipe me gjuhën maqedonase në nivel të shtetit dhe jashtë tij, kërkon paraprakisht ndërhyrje në Kushtetutën aktuale. Pa një ndërhyrje të tillë nuk mund të themi se shqipja është zyrtare në gjithë shtetin, në të kundërtën, pra nëse bëhet një gjë e tillë pa ndryshim të tillë, do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën”, thotë Osman Kadriu, anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Ai thotë se deri tani në këtë institucion nuk është paraqitur asnjë nismë për vlerësimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, pasi që kjo të ndodhë, duhet që ky ligj të hyjë në fuqi.
Ligji parasheh përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror, si në të shkruar, ashtu edhe në të folur, si në Kuvend, në Qeveri, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë dhe organet tjera shtetërore. Gjuha shqipe do të përdoret edhe në të gjitha mbishkrimet e institucioneve të nivelit qendror, krahas atyre në pushtetin lokal, ku gjithashtu gjuha shqipe është zyrtare në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës.