Ligji për Paga do të fillojë të zbatohet në muajin dhjetor

Prishtinë | 30 Tet 2019 | 08:58 | Nga Ekonomia Online

Ligji për Paga në sektorin publik do të fillojë të zbatohet në muajin dhjetor të këtij viti. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, i cili tha se buxheti është i mjaftueshëm për mbulimin e kostos financiare.

E njohësit e ekonomisë konsiderojnë se kjo rritje e pagave në sektorin publik mund ta dëmtojë sektorin privat në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës me 2 shkurt ka miratuar Ligjin për Paga. Ligji për herë të parë rregullon pagesën e të punësuarve në sektorin publik. Zëdhënës i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, ka thënë për Radio Kosovën së Ligji i Pagave do të fillojë të zbatohet nga muaji dhjetor i këtij viti.

“Zbatimi fillon në muajin dhjetor, kur të gjithë të punësuarit në sektorin publik pagat e dhjetorit do t’i marrin sipas ligjit të ri. Mjetet financiare janë në buxhet , masa e pagave është e buxhetuar dhe është më se e mjaftueshme për mbulimin e kësaj kostoje financiare”, bëri të ditur Shahini.

Njohësi i fushës së ekonomisë, Naim Gashi, konsideron se ky ligj duhet të zbatohet përderisa nuk merret një vendim tjetër. Por ai thotë se ligji do të ngarkojë buxhetin e shtetit duke lënë kështu anash edhe punësimin e të rinjve në sektorin privat.

“Orientimi i ri buxhetor mendoj që duhet të jetë gradualisht që krahas sektorit publik të shikohet dhe të forcohet edhe sektori privat, për faktin se pjesa dërmuese e të rinjve në Kosovë pritet të futen e tregun e punës në sektorin privat dhe si i tillë ai duhet të jetë atraktiv për ta mbajtur rininë në Kosovë që mos të ikin jashtë vendit”, tha ai.

Gashi tha se sektori i arsimit, përkatësisht ndërlidhja e tij me tregun e punës dhe fuqizimi i sektorit privat duhet të jenë prioritet i institucioneve të Kosovës, nëse do të synojmë garantimin e të vendeve të punës për 20 mijë të rinj. Me Ligjin e Pagave, koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro. Në bazë të Ligjit, presidenti i Kosovës pritet ta ketë pagën më të lartë dhe do të paguhet sipas koeficientit 10, deri sa kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të paguhen sipas koeficientit 9.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme