Ligji për paga rrezikon hapjen e vendeve të reja të punës

Prishtinë | 10 Shk 2019 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Ligji për pagat i cili është miratuar më 2 shkurt në Kuvendin e Kosovës, në bazë të së cilit paga bazë është rritur për rreth 15 për qind, për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, mund të ngushtojë hapësirën për punësime të reja, thonë udhëheqës të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë.

Drejtori i Zyrës së Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermulen, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Ligji për pagat gjatë këtij viti, do të jetë i menaxhueshëm, pasi zbatimi i tij fillon në muajin nëntor. Por, ai e sheh problematik atë, prej vitit tjetër, pasi kostoja e zbatimit të këtij ligji është e lartë.

“Një vlerësim më konservator që supozon që më 2019-‘20 nuk do të ketë punësime të reja (në sektorin publik), sërish tregon se ndarja për paga do të jetë rreth 30 milionë euro më shumë sesa tavani i lejuar ligjor. Kjo do të pengojë rritjen dhe krijimin e vendeve të reja të punës, që nevojiten për të zvogëluar papunësinë e lartë në Kosovë dhe hendekun e gjerë të të ardhurave me vendet në rajon dhe Bashkimin Evropian, përfshirë punësimet e reja në sektoret prioritare si gjyqësori, shëndetësia, arsimi dhe infrastruktura, si dhe do të ndalojë aplikimin e primeve për sigurime shëndetësore”.

Të ngjashme