Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka mbajtur tryezën informuese për Ligjin për Shërbimet.
Aty u tha se Ligji për Shërbimet do të jetë në shërbim të bizneseve dhe të rritjes dhe lehtësimit të aktivitetit ekonomik në vend, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Departamentit ligjor në MTI, Rexhep Bllaca, tha se ky ligj rregullon parimet themelore dhe krijimin e ushtrimit të veprimtarisë së shërbimeve në Kosovë.
Ai ka theksuar se sektori i shërbimeve është një ndër sektorët që ka një bilanc pozitiv në Kosovë.
“Vitin e kaluar është përfshirë ky ligj në programin legjislativ dhe arsyeja ka qenë për objektivin e parë që ka qenë harmonizimi i ligjeve me legjislacionin e BE-së. Ligji për Shërbime targeton katër liritë themelore për tregun e brendshëm. Në nenin 58 të MSA-së thuhet se Republika e Kosovës brenda periudhës pesë vjeçare duhet të harmonizojë legjislacionin e shërbimeve me ato të BE-së”, tha Bllaca.
“Objektivi tjetër pse është miratuar ky ligj është për shkak të përmirësimit të ambientit të bizneseve për ta bërë sa më atraktiv për investime të huaja”, tha ai.
Sipas raportit të Bankës Botërore thuhet se shtetet që krijojnë lehtësira për të bërë biznes rrisin aktivitetin ekonomik si dhe tërheqin investime të huaja. Koncepti i shërbimeve parasheh që me shërbim nënkuptohet çdo aktivitet ekonomik që normalisht ofrohet për pagesë.
“Ofruesit e shërbimeve është çdo person fizik apo juridik i regjistruar në Kosovë sipas legjislacionit në fuqi, i cili ofron ose realizon një shërbim. Përmes këtij ligji parashihet edhe heqja e lejeve dhe licencave të panevojshme, sepse në Kosovë ka shumë leje dhe licenca të cilat i afektojnë bizneset”, ka thënë ai.
Ndërsa, drejtoresha e Departamentit të Tregtisë në MTI, Sytrime Dervisholli, tha se sektori i shërbimeve në Kosovë është mjaftë i zhvilluar.
“Për fatin e mirë në nivel të Kosovës kjo fushë është mjaftë e zhvilluar. Kemi pasur ligje sektoriale që kanë rregulluar fusha të ndryshme, dhe tani do të kemi ligjin që në mënyrë horizontale do të rregullojë të gjitha fushat”, tha ajo.
Ajo tha se në fushën e shërbimeve jemi vendi më i mirë në rajon e sidomos në sektorin e Teknologjisë Informative.
Matjaz Logar, udhëheqës i ekipit të projektit “Asistencë në Zbatimin e MSA-së”, tha se direktiva e shërbimeve e re dhe shtetet anëtare të BE kanë 10 vjet përvojë me të.
“Arsyeja kryesore pse Komisioni e ka hartuar këtë është ndoshta se ofrimi i shërbimeve kufitare ka qenë më i ulët dhe shërbimet përbëjnë 70 për qind të GDP-së në Evropë. Sa i përket Kosovës për t’ju informuar, p.sh, shumica e konsumatorëve me këto pika të vetme të kontaktit janë kompanitë vendore të cilat janë 90 për qind dhe 10 për qind janë nga jashtë. Për këtë arsye duhet pasur paketën e shërbimeve. Edhe në Kroaci është rritur numri i shërbimeve të huaja që aplikojnë për shërbim në ekonominë e saj”, tha ai.
“Kosova ka nënshkruar MSA-në dhe është në fillim të këtij procesi, për shkak të strukturës së bashkëpunimit ekonomik me BE-në janë disa dispozita që nuk mund të zbatohen. Në qoftë se personi nga Kosova del dhe ofron shërbime me një vend tjetër, ju duhet të jeni anëtar. Në këtë ligj nuk është futur ofrimi i shërbimeve ndërkufitare për shkak se Kosova nuk është anëtare BE-së. Jam optimist se shtimi do të vërehet në Kosovë, sepse jemi të impresionuar nga bashkëpunimi me administratat në Kosovë”, tha ai.
Ligji për shërbime është miratuar në Kuvendin e Kosovës në mars të këtij viti. Ligji do të ndihmoj në krijimin e kornizës legjislative kombëtare, e cila do të jetë më e favorshme për biznese sidomos në fushën e themelimit të kompanisë duke zvogëluar ngarkesat si dhe krijimi i pikës së vetme të kontaktit ku do të jetë një portal shtetëror ku do të jenë të gjitha llojet e shërbimeve siç janë lejet licencat etj.