Pas vërejtjeve që i kishte bërë Zyra e Bashkimit Evropian dhe pas kërkesave që Projektligji për pagat të procedohet në Kuvend bashkë me projektligjet për ndryshimin e Ligjit për shërbimin civil dhe Ligjit për organizimin e administratës publike, ai pritet të procedohet nga Qeveria në Kuvend tek në vitin 2018.
Që të tria këto Projektligje nuk janë pjesë e agjendës legjislative të Qeverisë për këtë vit, shkruan sot Koha Ditore.
Nivelizimi i pagave, ose ajo që njihet si pagë e njëjtë për punë të njëjtë vazhdon të mos zbatohet në Kosovë. Kjo ishte tentuar të rregullohej në fund të vitit 2016 dhe fillim të këtij viti, nga Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa.
Projektligji për pagat, u pati miratuar në Qeveri më 30 dhjetor të vitit 2016 dhe u pati proceduar në Kuvend, por ende pa u diskutuar as në Kryesi të Kuvendit e as në komisione ishte tërhequr nga Qeveria. Tërheqja u pati bërë pas kërkesës së Bashkimit Evropian. Tani këshilltari për ekonomi i kryeministrit, Haki Shatri, ka thënë se ky ligj pritet të procedohet në fillim të vitit 2018.