Kollçaku: Ligji për Pagat do të korrigjohet dhe zbatohet nga qeveria e re

Prishtinë | 12 Dhj 2019 | 19:35 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, është shprehur se Ligji për Pagat do të korrigjohet dhe do të zbatohet nga qeveria e re. Ajo ligjin aktual të cilin Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar e ka quajtur ligj të pabarzisë dhe mashtrimin më të madh të qeverisë në detyrë.

Mulhaxha Kollçaku ka shkruar se vërejtjet e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë marrë parasyshë kur ka qenë koha dhe se pa miratim të buxhetit i cili është i hartuar nga qeveria në largim ky ligj është i pazbatueshëm.

“Ligji për Paga, ligj i pabarazisë, mashtrimi më i madh i qeverisë në ikje

Edhe pse e paralajmëruam këtë me kohë, vërejtjet tona nuk u morën parasysh. Çuditërisht, për herë të parë, Avokati i Popullit faktorizohet në këtë mënyrë, sepse roli i tij nuk lejohej të vihej në shprehje nga pushtetarët e deritanishëm.
Ky ligj kinse pezullohet vetëm për tre muaj, ndërsa buxheti i hartuar nga po kjo Qeveri, i cili ende nuk është miratuar, nuk e bën të zbatueshëm këtë ligj vitin që vjen.
Mjetet financiare ishin siguruar vetëm për muajin dhjetor (sipas tyre).
Nuk bën pa i përmendur edhe ministrat që flisnin për këtë ligj si punë e kryer!!!
Krejt kjo (paralajmërimi për protesta), po ndodh pikërisht tani, kur jemi në pritje të formimit të Qeverisë së re, e jo muaj më parë ( nga të gjithë ata që ishin të paknaqur?) kur u miratua ky ligj në Kuvend.
Ne duam një ligj jo diskriminues dhe kjo është e mundur. Nuk ka nevojë për protestë dhe greva, sepse këta morrën ndëshkimin. Shkuan për t’u mos kthyer më.
Ligji do të korigjohet dhe do të zbatohet nga Qeveria në ardhje”.

Të ngjashme