Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit do të votojnë një rezolutë të rëndësishme lidhur me përplasjet institucionale mes Kongresit dhe presidentit amerikan Donald Trump për ndërtimin e murit në kufirin jugor me Meksikën.
Rezoluta pritet të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve që kontrollohet nga demokratët mirëpo fati i saj është paqartë në Senatin amerikan shumicën e të cilit e përbëjnë republikanët.
Rezoluta ka për qëllim ndaljen e emergjencës kombëtare të shpallur nga presidenti, Donald Trump, të cilën e vendosi në fillim të këtij muaji si përpjekje për të shtyrë përpara planet e tij për ndërtimin e murit përgjatë kufirit me Meksikën.
Presidenti Trump këmbëngulë se muri është i nevojshëm për të ndalur hyrjen e paligjshme të drogës dhe migrantëve në Shtetet e Bashkuara. Demokratët dhe disa republikanë, thonë se muri është i panevojshëm dhe kanë refuzuar të ndajnë fonde për ndërtimin e tij.
Ekspertët ligjor thonë se deklarimi i emergjencës kombëtare, nga ana e presidentit Trump, mund të minojë fuqinë e Kongresit për ndarjen e buxhetit të garantuar me Kushtetutë. Sipas tyre, ky veprim mund të përbëjë një precedent.
Përpara votimit, disa ish-zyrtarë Republikan u bashkuan me dhjetra ish-zyrtarë të tjerë të sigurisë kombëtare, në nënshkrimin e një letre të hapur, duke thënë se nuk kishte “bazë faktike” që presidenti Trumptë anashkalojë Kongresin për të ndërtuar murin në kufirin me Meksikën. Transferimi i fondeve do të “minojë sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe interesat e politikës së jashtme”, thuhet në letrën e 58 ish-zyrtarëve.
Shpallja e emergjencës kombëtare i mundëson presidentit Trump të transferoj fonde nga linjat tjera buxhetore për ndërtimin e murit.
Në një letër të tjetër, 23 ish-ligjvënës republikanë iu kërkuan anëtarëve aktualë të Kongresit që të votonin rezolutën e demokratëve.
Nëse rezoluta kalon, presidenti Trump ka thënë se do të vërë veton. Kongresi do të duhet të mbledhë dy të tretat e votave të ligjvënësve për të anashkaluar veton.