Ministri i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj bashkë me shefin e kabinetit të tij Gëzim Berisha janë takuar me kryetarin e SBASHK-ut Rrahman Jasharaj.
Ministri Likaj ka informuar kryetarin e SBASHK-ut për gjithë angazhimet e bëra deri tani për fillimin e vitit të ri shkollor bazuar në rrethanat aktuale duke theksuar se janë përgatitur nga MASH-i tri opsionet e mundshme dhe se për to do të diskutohet edhe në instancat më të larta të shtetit, thuhet në komunikatën e ministrisë.
Kryetari Jasharaj ka thekuar se SBASHK me të gjitha mundësitë do të jetë në mbështetje në MASH-it lidhur me angazhimet për fillimin e vitit të ri shkollor. Kryetari Jasharaj ka thënë se cili do vendim lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor nuk është i lehtë dhe se kërkon angazhimin, jo vetëm të MASH-it, DKA-ve dhe SBASHK-ut , por edhe të gjithë institucioneve qendrore e lokale. Mendojmë se duhet zhvilluar një debat edhe në Parlamentin e Kosovës në mënyrë që të nxjerrën ide dhe të caktohen detyra konkrete për të gjithë . Ai ka shtuar se nuk ka qenë veprim i drejt shkurtimi i mjeteve buxhetore të MASH-it me rastin e rishikimit të buxhetit sepse në cilën do variant që nis viti shkollor konsiderojmë se MASH-i ka pasur nevojë për mbështetje shtesë buxhetore e jo të ndodhin shkurtime.
Në vazhdim të këtij takimi është arritur marrëveshja që të formohen komisionet nga MASH-i dhe SBASHK-u për të negociuar lidhur me Kontratën e re Kolektive të Arsimit të Kosovës në mënyrë që pas arritjes së marrëveshjes për tekstin përfundimtar edhe të nënshkruhet kjo Kontratë nga MASH-i dhe SBASHK-u.
Një çështje e rëndësishme që është debatuar në këtë takim është edhe ajo lidhur me mësimdhënësit e punësuar e që kanë 180 kredi. Të dy palët janë pajtuar që kjo çështje të analizohet dhe të merren hapat konkret për të zgjidhur ashtu si duhet duke ndryshuar Udhëzimin Administrativ 10/2018 dhe duke iniciuar mundësinë që të fillohet me programin për ngritjen e profesionale të tyre pa shkëputje nga puna.
Të dy palët janë pajtuar që me angazhime të përbashkëta të vazhdojnë përpjekjet që të arrihet zgjidhje e drejt dhe ligjore për punëtorët e arsimit që janë me sëmundje të rënda.
Ministri Likaj duke vlerësuar angazhimet e SBASHK-ut edhe në këtë takim është shprehur se do të vazhdojë bashkëpunimi dhe se përfaqësues të sindikatës do të jenë të përfshirë në të gjitha komisionet dhe grupet punuese , kudo që kanë mundësi të japin kontributin e tyre në shërbim të arsimit.
(Artikull i sponsorizuar)