Ministri i Arsimit, Ramë Likaj ka mbledhur drejtorët komunalë të Arsimit dhe Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, për të vendosur për mënyrën se si do të nisë mësimi në vitin e ri shkollor, raporton Ekonomia Online.
Ministria ka dhënë tri opsione për vitin e ri shkollor: kthimi në shkollë, mësimi i kombinuar në shkolla dhe online dhe opsioni i fundit mësimi online përmes platformës E-Mësimi.
Likaj tha se kanë planifikuar të përfshijnë edhe 1 000 mësimdhënës që t’i dalin në ndihmë mësimdhënësve me probleme shëndetësore apo në shkollat ku është numri i madh i nxënësve.
Ai tha se kanë kërkuar edhe nga institucionet që t’i dezinfektojë shkollat. Likaj ka propozuar që master plani të dorëzohet në Qeveri dhe pastaj Qeveria të vendos të për vitin shkollor.
“Jemi duke bërë përgatitjet e mundshme dhe ne deri tani e kemi bërë një master plan pastaj kemi përgatitur konceptet për parashkollor, klasat 1-9 dhe të mesme. Gjithashtu në këtë paketë duhet të përfshihet edhe trajnimi i mësimdhënësve dhe një monotrim që duhet të ofrohet nga inspektorati arsimit”.
“Në kuadër të planit buxhetor që ne kemi përgatitur kemi paraparë që t’i përfshijmë 1 000 mësimdhënës ndihmës që ti ndihmojnë arsimtarët me probleme shëndetësor apo me në shkollat ku ka numër të madh të nxënësve. Ne kemi kërkuar mbështetje për dezinfektim në institucionet shkollore dhe për këtë duhet me na përkrah Qeveria”.
“Unë kisha propozuar që vendimin përfundimtar me marr prej Qeverisë dhe master planin me dërguar në Qeveri dhe ne vetëm ta zbatojnë. Para vetes e kemi një sfidë është testi i maturës dhe kemi bërë gjitha përgatitjet me mbajtur me 29 gusht”, ka theksuar Likaj.
Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri ka thënë se kryetarët e komunave dhe drejtorët e DKA-ve kanë shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për fillimin e vitit të ri shkollor.
Tahiri gjithashtu ka thënë që edhe në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike do të shihen parametra për ta ndihmuar sektorin e arsimit, raporton Ekonomia Online.
“Ajo që kemi diskutuar në dy takime virtuale është që gjatë vizitave që ka pasur ministri në komuna ka parë një vullnet nga kryetarët e komunave dhe drejtor të DKA-ve që mësimi të fillojë në një proces të mundshëm. Ne jemi në dilemë se si të ruhet shëndeti publik dhe si të krijohen kushte që procesi i mësimdhënies të jetë i tillë në funksion të zhvillimit të fëmijëve tanë”.
“Si qeveri ne duhet të marrim një vendim i cili do të ketë ekzekutiv për të gjithë sektorin e arsimit po ashtu duhet të miratohet një master plan me tri opsione dhe në kuadër të pakos për Rimëkëmbje Ekonomike jemi duke punuar që të vendosen parametrat për mbështetje financiare të këtij sektori”.
“Në rishikimin buxhetor do të shohim ndonjë investim që një pjesë e tepricës që të shfrytëzohet për arsimin primar”.