Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka konfirmuar se mësimi në shkolla do të fillojë nga 14 shatori i ndarë në dy faza, raporton Ekonomia Online.
Likaj lajmin e ka bërë të ditur pas takimit që ka zhvilluar me zyrtarë të drejtorive të Arsimit dhe drejtues të SBAShK-ut.
“Gjatë ditës së sotme e komunikuam vendimin e Qeverisë për fillimin e vitit të ri shkollor në të cilën do të fillojmë në dy faza”.
Faza e parë, në të cilën janë përfshirë niveli parashkollor dhe klasat 1, 2, 3, 6 dhe 10 fillon mësimin të hënën, më 14 shtator sipas skenarit A (me prezencë në shkollë), ndërsa klasat 4 dhe 5 fillojnë mësimin në të njëjtën datë, sipas skenarit A ose B, pra me prezencë në shkollë, ose mësim të kombinuar, varësisht nga kapaciteti i shkollës në përputhje me vlerësimin e task forcës në nivel të DKA-së dhe shkollës.
Faza e dytë, fillon më 21 shtator, në të cilën përfshihen klasat, 7, 8, 9, 11 dhe 12, sipas skenarit B, pra dy ditë në shkollë dhe tri ditë mësim online dhe në distancë.
“Faza e dytë fillon më 21 shtator ku me këtë datë mësimin e fillojnë nxënësit e klasave 7, 8, 9 të arsimit të mesëm të ulet dhe klasat 11, 12 të arsimit të lartë. Nxënësit e vijojnë mësimin dy ditë në shkollë dhe tri ditë në formë të mësimit online”, tha Likaj.
Rrahman Jasharaj kryetar i SBAShK-ut tha se mësimdhënësit janë të gatshëm për tw filluar mësimin, raporton EO.
“SBAShK-u e ka thënë se mësimdhënësit janë të gatshëm për ra filluar vitin e ri shkollor sipas master-planit të prezantuar nga ministri”.
“Më gëzon fakti se kemi një gatishmëri nga mësimdhënësit që janë të gatshëm. Një pjesë e institucioneve tona janë të gatshëm në mënyrë që ta kemi një fillim të ri të suksesshëm”, tha Jasharaj.