Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Shyqiri Bytyqi, të shtunën, kërkoi votën nga banorët e lagjes Kodra e Trimave.
I shoqëruar nga lideri i partisë Nisma, Fatmir Limaj, ministri aktual i Arsimit, Byytyqi, tha se planprogramin për qeverisje të Prishtinës e ka bazuar në mënyrë që në qendër të saj të jetë qytetari i Prishtinës.
“Ne kemi ardhur këtë që të marrim përgjegjësi…Kjo varet nga vota juaj”.
Ai tha se Nisma për Kosovën, si një parti social-demokrate, do të ofrojë për qytetarin e Prishtinës, sidomos për të rinjtë, një “market social”.
Krahas politikave për përmirësimin e mirëqenies sociale, pika në plan-programin e Bytyqit janë dhe vendosja e një porte të quajtur Krenaria e Prishtinës, qendra për të rinjtë, cilësi më të mirë të arsimit etj.
Ndërsa, kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se ajo që e dallon Nismën prej të tjerëve është se në gjuhën e tyre gjatë kohës së fushatës nuk ka sharje e premtime mashtruese.
“Jemi dëshmitarë të disa ofertave aktuale në Kosovë dhe në Prishtinë… Nuk është e lehtë që njerëzit të përcaktohen se cila është rruga që duhet ndjekur. Ne jemi në një situatë në të cilën shfaqen oferta në cilat në gjuhën e tyre ka sharje dhe premtime mashtruese. Por, kjo është ajo qe na dallon prej të tjerëve”, u shpreh Limaj.
“Ne shumë pak po dëgjojmë si ta largojmë këtë popull nga varfëria, shumë pak po dëgjojmë se si me ngritë mirëqenien në Kosovës, të pensionistëve për shembull. Jemi një qytet ku pensionisti kërkohet vetëm në momente për nevoja elektorale”.
Limaj theksoi se askush më mirë se banorët e Kodrës së Trimave nuk e di se sa premtimet janë bërë nga kryetarët e kaluar dhe nuk janë realizuar asnjëherë.