Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, të martën zhvilloi një bashkëbisedim me punëtorët e fabrikës së mobileve ‘Dardania Model’ në Shtime, gjatë të cilës ka shpalosur programin e NISMA për Kosovë.
Ai me këtë rast tha se ka ardhur koha që të vlerësohet djersa e punëtorëve dhe se shteti duhet t’i japë mundësi të gjithëve në ndërtimin e shtetit.
“Ka ardhur koha në vendin tonë me i dhënë krah edhe me vlerësua punëtorin , ai që me djersë e mban familjen e tij dhe kjo është detyra e shtetit me ia dhënë mundësinë të gjithëve, pastaj kush do të punojë punon, kush nuk donë, rezultatin e ka zero. Shteti duhet me ia dhënë mundësinë, duhet krijuar lehtësi hapësira për me pas mundësi djali apo vajza e re me u kap në ndërtimin e jetës. Në Kosovë janë diku sipas regjistrimeve zyrtare 25 mijë familje që nuk e kanë asnjë njeri të punësuar, janë 107 mijë banorë në vendin tonë që në fund të muajit nuk i shkon rroga, por i shkon ndihma sociale. Ne besojmë këtu duhet të fillohet të ndërpritet pabarazia dhe të fillohet të zbutet kjo pa barazi për me iu dhënë mundësi njerëzve dhe ne besojmë që na këtu duhet të fillohet punësimi, të jepet mundësia në përparësi njerëzve, të cilëve nuk e kanë asnjë nga anëtarët e familjes të punësuar” , tha Limaj.
Kreu i Nismës, Fatmir Limaj tha se shteti duhet të ndërtojë kontrata me kompanitë për punësim, por që shteti duhet ta paguajë një vit, ndërsa kompania dy vite të tjera.
Sipas Limajt, kjo do të ndihmonte edhe në aftësimin e punëtorëve dhe në lehtësimin e punës së kompanisë.
Kryetari i Nisma për Kosovën pati një porosi edhe për të gjithë pronarët, ku tha se nuk mund të ketë një biznes të suksesshëm në qoftë se punëtori nuk është i lumtur dhe nuk është i kënaqur me rrogën. Ai tha se duhet të respektohet ligji i punës dhe orari i punës.