Kryesuar nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, është mbajtur mbledhja e radhës së Komisionit Ndërministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, pjesë e të cilit janë edhe disa ministra të kabinetit qeveritar, kryetari i Komunës së Skenderajt dhe përfaqësues të institucioneve në Kosovë.
Limaj, i cili është kryesues i këtij Komisioni, theksoi rëndësinë e madhe që ka për shtetin e Kosovës ky kompleks.
Ai kërkoi angazhim nga të gjithë anëtarët që ecuria e projektit të finalizohet sa më shpejt. Me gjithë punën komplekse dhe të madhe që pritet të bëhet, zëvendëskryeministri Limaj tha se janë të vendosur që t’i shkojnë deri në fund këtij projekti, ngase Prekazi,si vend i shenjtë jo vetëm i Kosovës, por i gjithë shqiptarëve, e meriton një projekt të tillë.
Bislim Zogaj, drejtor i Agjencisë për menaxhimin e komplekseve memoriale, raportoi para komitetit për punët dhe investimet e deritashme në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, si dhe kërkoi të trajtohet me urgjencë vazhdimi i punimeve në konservim dhe projektim të këtij kompleksi.
Anëtarët e këtij komisioni u zotuan se do të punojnë me dinamike të shtuar, në mënyre që sa më parë të nisë konservimi dhe ndërtimi i Kompleksit Memorial “Adem Jashari”.