Kryetari i Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj, përmes një komunikate për media, ka ftuar grupet parlamentare dhe kryesinë e Kuvendit që sa më shpejtë të thërrasin seancën në të cilën do të ratifikohet marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.
Limaj ka falenderuar Malin e Zi për gatishmërinë e treguar lidhur me gjetjen e një zgjidhje, e cila sipas kreut të Nismës, do të zhbllokoj rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.
Më poshtë mund të gjeni komunikatën e plotë të Limajt:
Pas një përpjekje dhe angazhimi serioz disa mujor në kërkim të gjetjes se një zgjidhje për marrëveshjen e demarkacionit, e cila do të zhbllokonte rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane, më në fund kemi marrëveshje mes dy shteteve tona.
Tanimë deputetët e Kuvendit të Kosovës, e kanë rastin që pa asnjë dilemë të votojnë marrëveshjen e cila respekton interesat e dy vendeve.
Shfrytëzoj rastin të falënderoj Malin e Zi për gatishmërshinë e treguar për të gjetur një zgjidhje e cila nuk lenë asnjë dilemë dhe hije në marrëdhëniet mes dy shteteve tona.
Arritja e kësaj marrëveshje do të thellojë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e shumanshëm me shtetin fqinjë, Malin e Zi.
Ftoj, të gjitha Grupet Parlamentare dhe Kryesinë e Kuvendit që urgjentisht të thërrasin seancën për të ratifikuar marrëveshjen për demarkacion.
Ky veprim i Kuvendit të Kosovës do të ishte dhurata më e mirë që mund t’ia ofrojmë qytetarëve të Kosovës në 10 vjetorin e pavarësisë.
Ratifikimi i kësaj marrëveshje përfundimisht i hap rrugë të liberalizimi të vizave dhe konfirmon rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane.