Në Shkup është mbajtur akademi përkujtimore kushtuar rënies së heroit kombëtar, Ismet Jashari – Kumanova.
Kjo akademi shënoi përmbylljen e aktiviteteve për nder të 20-vjetorit të rënies së komandant Kumanovës dhe 66 dëshmorëve tjerë të Brigadës 121.
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetar i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limja, tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bashkoi shqiptarët të çdo treve ku jetonin. “Ne u bëmë bashkë për t’u thënë të tjerëve se shqiptarët duan të jetojnë të lirë dhe për këtë janë të gatshëm ta japin edhe jetën”.
“Kombi shqiptar nuk ka qenë asnjëherë më mirë se tani. Na takon neve të punojmë për t’ia dhënë pozicionin që i takon. Gara për të dominuar dhe sunduar të tjerët është garë e humbur”, ka theksuar Limaj.
“Me shqiptarët mund të bashkëjetohet, por askush më kurrë nuk do të mund të dominojë mbi ne e të na sundojë. Nofka e Komandant Kumanovës nuk ka qenë e rastësishme, sepse kemi dashur të tregojmë që në luftën e Kosovës po marrin pjesë të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët. Kosova është e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë”.
“Lavdi jetës dhe veprës së Komandant Kumanovës! Lavdi dëshmorëve të Kombit!”, ka përfunduar Limaj.