Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, në vazhdën e fushatës elektorale, sot në Istog, ka mbajtur takim me kryetarin e degës si dhe kandidatët për Kuvend Komunal.
“Ne duam që kandidatët e Nismës në Asamblenë Komunale ta përfaqësojnë zërin e bujqve, fermerëve e punëtorëve. Të jenë zëri i vajzave e djemve të rinj të cilët kanë një ëndërr”, ka thënë Limaj.
Ai theksoi se asamblistët duhet të jenë zëri i qytetarëve duke i përçuar shqetësimet e tyre në kuvend.
“Asambleja komunale e ka për detyrë të merret me problemet që i preokupojnë qytetarët. Kërkova nga kandidatët për Asamble që t’i përçojnë shqetësimet e qytetarëve, pasi kjo është arsyeja pse ekziston Nisma. Një pjesë e madhe e qytetarëve janë të papërfaqësuar dhe nuk ka asgjë më të shenjtë dhe të ndershme sesa me qenë zëri i atyre familjeve që nuk e kanë askënd të punësuar”, tha ai, raporton Ekonomia Online.
Më tej, Limaj, ju tha qytetarëve që ta votojnë Nismën për të ndryshuar gjendjen e tanishme.
“Nëse iu qëndrojmë besnikë këtyre parimeve, Nisma Socialdemokrate do të jetë shumicë në Kosovë. Nuk kemi thënë rastësisht që koha për Nismën po vjen. Ju siguroj se koha për Nismën ka ardhur. Prandaj votojeni Nismën dhe numrin 31”, u shpreh Limaj.
Ndërsa kryetari i degës së Nismës, Musa Fetahaj, prezantoi punën e deritanishme të komunës se Istogut, duke cilësuar arsimin, shëndetësinë, bujqësinë si sektorë me probleme në këtë komunë.
“Ne si kandidatë për asamble komunale duhet t’i shpalosim vlerat tona në terren. Ka njerëz që punojnë në arsim të cilët kanë padi në gjykatë për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, ka thënë Fetahaj, raporton Ekonomia Online.
Fetahaj ka përmendur edhe problemet me shëndetësinë në këtë komunë. Sa i përket bujqësisë, ka thënë se ka selektime në dhënien e subvencioneve për bujq.