Nisma për Kosovën ka hapur sonte fushatën në Kaçanik, duke prezantuar kandidatin e saj për kryetar, Agim Çakën.
Duke iu drejtuar kandidatëve për të zënë ulëse në Kuvendin e këtushëm Komunal, Fatmir Limaj tha se Nisma dallon për një gjë nga partitë e tjera.
“Ne nuk kërkojmë votë me premtime të rrejshme e me mashtrime”, tha lideri i Nismës për Kosovën.
Ai tha se Kosova e Kaçaniku duan jo njerëz qyqana e që vajtojnë, por njerëz që kryejnë punë. “Kemi ardhur këtu për t’iu treguar se koha për Kaçanikun, për një frymë të re në Kaçanik, ka ardhur”.
“Ne jemi një parti e cila nuk mundet me dalë para qytetarëve e me dhanë premtime të rrejshme, nuk jemi një parti e cila mashtron”, është shprehur Limaj.
Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se me Agim Çakën kryetar, Kaçaniku do të marrë frymë ndryshe sepse ai nuk i mashtron qytetarët për të marrë votën e tyre.
Limaj tha se njerëzit e pashpresë kanë nevojë për mundësi dhe jo për përçarje e mashtrime, pasi Kosova ka nevojë për bashkim dhe frymë pozitive që bashkon njerëzit.Ai ka ftuar elektoratin që më 22 tetor të dalin dhe të votojnë për ndryshime pozitive në Kaçanik, duke thënë se nuk do të shkojë katër vjet dhe NISMA do të jetë me shumicë kudo në Kosovë.
Kurse kandidati për ta drejtuar Kaçanikun në 4 vitet e ardhshme, Agim Çaka e filloi fjalimin e tij para simpatizantëve të mbledhur në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik me vargjet e këngës së njohur: “Kaçanikut i raftë pika,
nuk e di se çka është frika…”
Në vazhdim, ai ka interpretuar rezultatet e një raporti të publikuar nga auditori, duke theksuar se nga gjashtë notat, udhëheqja e deritanishme e Kaçanikut ka marrë 3 njësha, 2 dysha dhe 1 tresh. “Me këto nota, një variant tjetër i udhëheqjes së kryetarit të njëjtë paraqet rrezik për Kaçanikun”, u shpreh ai.
Në vazhdim, Çaka teksa prezantoi planprogramin që bazohet në tri shtylla: Drejtësi, barazi e solidaritet për të gjithë.
Gjatë mandatit të tij katërvjeçar, ai u shpreh se Kaçaniku do të rizgjohet dhe do t’i kthehet nami. Çaka u zotua se gjatë mandatit të tij të qeverisjes së ardhshme do të përkujdeset për ruajtjen dhe zhvillimin e Kaçanikut, pasi që qeverisja e tanishme nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.
Ai, po ashtu, premtoi se do të ketë depolitizim të arsimit dhe arsim cilësor. “Po ashtu shëndetësia do të jetë një përkujdesje e veçantë gjatë mandatit të tij qeverisës, ku do të ketë veprime të shpejta dhe efikase për ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarët”.
Kandidati i Nisma për Kaçanikun premtoi se do të ketë stimulim të fermerëve në bujqësi, ndërsa rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe ekonomisë, rinisë dhe sportit.
Me këtë rast janë prezantuar edhe kandidatët e NISMA’s për asamble komunale të Nismës për Kuvendin Komunal të Kaçanikut, për të cilët u tha se kanë hyrë në këtë garë do të kërkojnë ndryshimin me Nismën për Kaçanikun.