Nisma premton në Suharekë vende të reja të punës dhe kandidatin që çdo komunë do t’ia kishte zili.
Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, në vazhdën e fushatës zgjedhore në Suharekë, ka thënë se ky qytet dhe gjithë qytetet e tjera, janë mësuar të dëgjojnë premtime të cilat pastaj nuk realizohen.
“Por, Nisma nuk premton. Ajo zotohet në pikat që ka për t’i realizuar. Kam nderin të flas dy fjalë për një njeri që ka qenë themeltar i ndryshimeve demokratike jo vetëm për Suharekën por gjithë Kosovën”, tha Limaj, raporton Ekonomia Online.
Ai ka lavdëruar kandidatin Kadri Balaj, nga radhët e Nismës, duke thënë se jeta dhe angazhimi i tij për lirinë e Kosovës ka dekada dhe nga këto angazhime refuzuese të pushtetit serb Balaj është zhvendosur në Tiranë për të marrë angazhimin si një nga drejtuesit e diplomacisë shqiptare.
“Suhareka ka një rast të jashtëzakonshëm që të ketë në krye një njeri me një përvojë të jashtëzakonshme profesionale. Një kryetar të tillë do ta kishte zili çdo komunë tjetër”, u shpreh Limaj.
Kandidati i Nismës për të parin e kësaj komune, Kadri Balaj, tha se përveç se do ta përgjysmojë buxhetin për asfalt për t’i ndihmuar bujqit ai do të punësojë për çdo familje një anëtar.
“Ka ardhur koha që në shërbim të komunës tonë të vijnë njerëz me vizion të qartë, ne këtë vizion e kemi dhe do ta bëjmë bashkë”, tha Balaj.
“Do ti kushtojmë rëndësi sidomos kategorive të dala nga lufta rritjen dhe subvencionimin dhe ndihmat sociale për qytetarët tanë dhe do të punësojmë nga një familjar për çdo familje në Therandë. Do t’i ndihmojmë bizneset për hapjen e vendeve të reja të punës”, theksoi ai.
Balaj tha se është për keqardhje që të rinjtë tanë mendjen e kanë se si të ikin nga këtu dhe kjo duhet të ndalet urgjentisht tha ai.